Veliaj: Kjo është fitorja më mbresëlënëse
Kandidati fitues për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj ka dhënë sot deklaratën e parë publike pas daljes së rezultatit paraprak të zgjedhjeve të 21 qershorit, që e shpall atë fitues me rreth 43 mijë vota më shumë se rivali i tij Halim Kosova.
Lajme
Ai tha se kjo është një ditë e rëndësishme jo vetëm për atë vetë, por për të majtën shqiptare, e cila bashkë me Tiranën në këto zgjedhje korri fitore në 46 bashki të vendit.
Për Veliajn kjo është fitorja më mbresëlënëse e shënuar ndonjëherë në zgjedhjet vendore që janë mbajtur në Shqipëri.
“Na kanë ngarkuar me përgjegjësinë e ndryshimit të madh të Tiranës. Nëse ka dikush që ishte dyshues për reformën e re administrative, nëse ka dikush që ishte cinik për qytetarinë e këtij vendi, sot ka një përgjigje; qytetarët dolën masivisht në votime, formuan një demokraci masive dhe i dhanë fitore ASHE-së në 46 bashki të Republikës së Shqipërisë”.
“Në 46 nga 61 bashki të vendit është fitorja më mbresëlënëse e viteve të fundit nga socialistët. Me këtë fitore shumica e shqiptarëve vendosi që ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur, dhe për këtë jemi jashtëzakonisht mirënjohës dhe tejet të përulur,” tha Veliaj.
Në fjalimin e tij, Velijaj nuk harroi të falënderojë jo vetëm kryeministrin Rama, kreun e LSI Meta dhe gjithë ekipin që u morr me fushatën e tij, por përshëndeti edhe rivalin e tij Halim Kosova, si dhe kandidatët e tjerë të pavarur që me garimin e tyre në këto zgjedhje sollën ndryshimin dhe një frymë të re të zhvillimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri.
Më tej Veliaj tha se kërkon të sjellë frymën e bashkimit dhe jo të përçarjes, ndaj dhe i kërkoi administratës aktuale të Bashkisë së Tiranës që të mos neglizhojë dhe të mos e ndërpresë punën, por të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve një lloj si më parë, pavarësisht ndërrimit të kryetarëve të bashkive.
“Ne duhet të përveshim mëngët që ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur ashtu siç premtuam në këtë fushatë. Do t’iu shërbejmë njësoj pa i ndarë njerëzit në të majtë edhe të djathtë. Ne do të ndërtojmë një bashki e cila i bashkon njerëzit dhe nuk i përçan më njerëzit. Ndërkohë, i kërkoj administratës së Bashkisë së Tiranës të mos ndërpresë në asnjë moment shërbimet ndaj qytetarëve gjatë kohës që bëhet tranzicioni i ekipeve”, tha Veliaj.
Edhe pse rezultati final nuk është zyrtarizuar akoma në këto zgjedhje Erjon Veliaj ka grumbulluar 43 mijë vota më shumë se rivali i tij Halim Kosova.