Veç një nga 7 komunat e mëdha e kreu me të parën

Në Kosovë llogariten 7 komuna të mëdha: Prishtina, Peja, Gjakova, Prizreni, Gjilani, Mitrovica dhe Ferizaj. Gara zgjedhore në këto komuna është vazhdimisht interesante, me rezultate që shpesh dinë të befasojnë. Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e sotme, të 12 tetorit, kur janë numëruar shumica e votave në shumicën prej komunave, raporton Klankosova.tv. Kryeqyteti po shkon…

Lajme

13/10/2025 00:10

Në Kosovë llogariten 7 komuna të mëdha: Prishtina, Peja, Gjakova, Prizreni, Gjilani, Mitrovica dhe Ferizaj.

Gara zgjedhore në këto komuna është vazhdimisht interesante, me rezultate që shpesh dinë të befasojnë.

Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e sotme, të 12 tetorit, kur janë numëruar shumica e votave në shumicën prej komunave, raporton Klankosova.tv.

Kryeqyteti po shkon në balotazh mes Përparim Ramës së LDK-së dhe Hajrulla Çekut së LVV-së.

I pari ka marrë besimin e 33,75% të qytetarëve kur janë numëruar pak më shumë se 85% të votave.

Kurse Çeku, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka mbledhur 32,96%.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, duket se do t’i duhet të bëjë edhe një herë fushatë.

Kjo pasi sipas rezultateve preliminare, Gjini ka marrë 47,26% të votave kur janë procesuar gati 96% të votave.

Pas tij është Ardian Gola i LVV-së me 33,74% të votave.

Por, pos tij, në balotazh do të shkojë edhe komuna e Gjilanit pasi as atje, kryetari aktual Alban Hyseni i LVV-së nuk arriti të vuloste fitoren “me të parën”.

Kur janë numëruar 99,25% të votave, Hyseni del të ketë marrë besimin e 49,84% të gjilanasve.

I dyti në listë është Arbër Ismajli me 34,15%.

Mitrovica është po ashtu duke shkuar drejt balotazhit mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së.

Tahiri ka marrë 48,07% të votave, kurse Peci 47,66%.

Në Pejë, deri më tani janë numëruar 97,14% të votave, kurse nga to Gazmend Muhaxheri ka marrë besimin e 46,11% të qytetarëve.

Ai ndiqet nga Taulant Kelmendi i LDK-së me 28,13%.

Balotazh do të ketë edhe në Prizren mes PDK-së dhe LVV-së.

Kryetari aktual, Shaqir Totaj i PDK-së ka mbledhur 41,92% të votave kur janë numëruar gjithsejtë 91,10% nga vendvotimet.

Ai pasohet nga Artan Abrashi i LVV-së me 29,87% të votave.

E i vetmi që e kreu punën me të parë duket se është Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj, i cili nga rezultatet preliminare ka siguruar 56,32% të votave, kur janë numëruar mbi 94% të fletëvotimeve.

I dyti doli Enver Haliti i LVV-së me 28,54% të votave.

Kujtojmë se këto janë rezultate preliminare të publikuara nga KQZ-ja.