Vdes profesori Isuf Dedushaj, epidemiologu i parë shqiptar në Kosovë

Epidemiologu i njohur, i pari nga shqiptarët e Kosovës, Isuf Dedushaj, ka vdekur në moshën 73 vjeçare. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja e tij dhe ka njoftuar edhe IKSHP. Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë mjek, epidemiolog, profesor universitar dhe doktor i shkencave të mjekësisë nga Vuthaj, në Mal…

Lajme

01/02/2025 16:09

Epidemiologu i njohur, i pari nga shqiptarët e Kosovës, Isuf Dedushaj, ka vdekur në moshën 73 vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja e tij dhe ka njoftuar edhe IKSHP.

Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë mjek, epidemiolog, profesor universitar dhe doktor i shkencave të mjekësisë nga Vuthaj, në Mal të Zi.

Shkollën fillore e mbaroi në Vuthaj dhe Guci. Gjimnazin e kreu në Pejë, kurse Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në mars të vitit 1976.

Fillimisht punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas të Drenicës. Në vitin 1976 punësohet në atë që quhej Enti Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore ku zgjidhet bashkëpunëtor për lëndën Mjekësi Sociale. Përfundon specializimin për epidemiologji më 20 maj të vitit 1980, duke u bërë kështu epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, sipas biografisë së publikuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës.

Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sarajevës në Bosnje, ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1983.

Dr. Isuf Dedushaj me 27 nëntor të vitit 1986 në Fakultetin e Mjekësisë mbrojti tezën e doktoratës. Gjatë vitit 1986/1987 përfundoi subspecializimin në imunologji pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Zagrebit në Kroaci. Punoi në Entin për Mbrojtjen Shëndetësore të Kosovës prej vitit 1976 deri në vitin 1990.

Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ka qenë edhe prodekan dhe dekan. Prof. Dedushaj ka qenë anëtar i Redaksisë së Revistës Shkencore “Praxis Medica” të Kosovës. Ka publikuar 112 punime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj. Është autor i disa monografive shkencore dhe teksteve universitare.