Vdekja e Arafatit nuk ishte e natyrshme
Zyrtarët palestinezë thonë se raportet shkencore mbi vdekjen e liderit Yasser Arafat tregojnë që ai nuk kishte vdekur nga mosha e shtyrë, as nga ndonjë sëmundje. Vdekja e tij nuk ishte natyrale.
Bota
Një raport i shkencëtarëve zviceranë ka ardhur në përfundim se në trupin e Arafatit ishin gjetur nivele të larta të substancës radioaktive të poloniumit.
Në një konferencë për media është thënë se hetuesit do të vazhdojnë hulumtimet mbi vdekjen e Arafatit, i cili vdiq në një spital në Paris, në vitin 2004.
E veja e Arafatit, Suha, beson që raporti është dëshmi se burri i saj ishte vrarë.
Sidoqoftë, ajo tha se burri i saj i ndjerë kishte shumë armiq në mbarë botën, kështu që nuk mund ta akuzojë dikë në veçanti.
Shumë palestinezë besojnë se Izraeli është përgjegjës për vdekjen e Arafatit, ani pse Izraeli vazhdimisht e ka mohuar këtë gjë.
Ekipi i shkencëtarëve nga Zvicra në trupin e Arafatit ka gjetur nivel 18 herë më të lartë të poloniumit se niveli normal, por nuk ka mundur që ta konfirmojë shkakun e saktë të vdekjes së tij.
Yasser Arafat vdiq në spitalin ushtarak në Paris, më 2004, pasi papritmas u sëmur në rezidencën e tij presidenciale, në Bregun Perëndimor, në Ramallah.
Mbetjet e tij mortore u zhvarrosën vitin e kaluar dhe iu nënshtruan testeve, të cilat sugjeruan se ai mund të ishte helmuar.
Përafrisht 60 mostra ishin ndarë në mes të hetuesve zviceranë, rusë dhe një ekipi francez, që kryen një hetim me kërkesën e së vesë së Arafatit.
Franca filloi hetimin mbi vrasjen e tij në gusht të vitit 2012, pas të gjeturave preliminare të poloniumit nga shkencëtarët zviceranë, të cilët ishin duke punuar mbi një dokumentar me një ekip të Al-Jazeera.
Një zyrtar rus muajin e kaluar tha se asnjë gjurmë e poloniumit nuk është gjetur.
Përfshirja e palës së tretë
Të premten, Kryetari i Komisioni Hetues mbi vdekjen e Arafatit, Tawfiq Tirawai, ka dhënë një vlerësim mbi të gjeturat.
Kryetari i këtij komisioni javën e kaluar kishte marrë raportin nga zviceranët së bashku me rezultatet e testeve të kryera nga ekipi rus, që ishin emëruar nga autoritetet palestineze.
Korrespodenti i BBC në Ramallah, Yolande Knell, thotë se disa zyrtarë palestinezë tashmë kanë thirrur hetuesit ndërkombëtarë që të hetojnë vdekjen e Arafatit.
Shkencëtarët nga Vaudois University Hospital Center (CHUV) në Lozanë të Zvicrës, kanë qenë përgjegjës për ekzaminimin e detajuar të të gjitha të dhënave mjekësore të Arafatit, duke përfshirë edhe mostrat nga mbetjet e tij mortore dhe gjërat e tij personale që i kishin marrë nga spitali i Parisit.
Materialet biologjike, përfshirë edhe pjesë të eshtrave të Arafatit, po ashtu ishin marrë nga trupi i tij.
Profesori Francois Bochud tha në një konferencë për shtyp, të enjten, se ishin vërejtur nivele të larta të poloniumit “që tregojnë përfshirjen e palës së tretë. Rezultatet tona ofrojnë mbështetje mbi teorinë e moderuar të helmimit”.
Ai shtoi: “A ishte më të vërtetë poloniumi shkak i vdekjes? Përgjigja është jo. Ne nuk mund të tregojmë kategorikisht se hipoteza e helmimit ishte shkaktuar nga ky faktor apo nga ndonjë faktor tjetër”.
Shkencëtarët kanë thënë se nuk ishin në gjendje të arrinin në përfundimin definitiv për shkak të kohës së madhe të kaluar nga vdekja e Arafatit, dhe se mostrat e limituara që ishin në dispozicionin shkaktonin konfuzion “në zinxhirin e kujdestarisë” të disa prej mostrave.
Polonium 2010 është substancë me radioaktivitet të lartë. Gjendet në nivele të ulëta nëpër ushqim dhe në trup, por mund të jetë fatal nëse gjendet në doza të larta.
Yasser Arafat kishte udhëhequr Organizatën Çlirimtare të Palestinës për më shumë se 35 vite dhe u bë Presidenti i parë i Autoriteteve Palestineze në vitin 1996.
Të dhënat mjekësore zyrtare thoshin që ai kishte vdekur nga një goditje që erdhi si pasojë e çrregullimit të gjakut.
Suha Arafat tha se ajo nuk kishte dyshime se bashkëshorti i saj i ndjerë është vrarë, por refuzoi që për këtë gjë ta drejtojë gishtin drejt Izraelit.
“Nuk mund ta akuzoj askënd. Të gjithë duan ta akuzojnë Izraelin – unë nuk mund që ta akuzoj – nuk mund që thjesht të jap një përfundim të tillë”, deklaroi ajo për BBC.
“Tashmë rasti është nën juridiksionin francez. Unë dëshiroja që këtë krim të dokumentoja për historinë”.
Përktheu: M. S.