Vdekja e 27 vjeçarit në Lipjan- IPK-ja nis vlerësimin dhe hetimin e reagimit të policëve, thuhet se për rastin u njoftuan pas shumë orësh

27 vjeçari nga Lipjan, Agon Zejnullahu u raportua të ketë vdekur mbrëmë. Por vdekja e të riut tanimë po hetohet si e dyshimtë- nga Prokurori për hetimin e Krimeve të Rënda. E gjithë kjo sepse vdekja e tij ndodhi në qendër të Lipjanit- pasi thuhej se qytetarët u ankuan se ai në gjendje të dehur…

Lajme

07/07/2025 15:20

27 vjeçari nga Lipjan, Agon Zejnullahu u raportua të ketë vdekur mbrëmë.

Por vdekja e të riut tanimë po hetohet si e dyshimtë- nga Prokurori për hetimin e Krimeve të Rënda.

E gjithë kjo sepse vdekja e tij ndodhi në qendër të Lipjanit- pasi thuhej se qytetarët u ankuan se ai në gjendje të dehur po sulmonte qytetarët dhe po thyente makinat.

E në lidhje me këtë rast tanimë janë deklaruar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës- të cilët thanë se në lidhje me rastin janë njoftuar në mëngjes, anipse rasti kishte ndodhur në ora 00:15.
Pra për disa orë Policia e Kosovës nuk e ka informuar fare Inspektoratin Policor për këtë ngjarje.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .Zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur”, thuhet në deklarimin e IPK-së.

Përpos kësaj, sipas Inspektoratit Policor njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“IPK në kuadër të autorizimeve ligjore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen.Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”.
Në lidhje me gjithë këtë ngjarje, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë të cilët bën të ditur se Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore në lidhje me rastin.

Po ashtu u bë e ditur se me rastin po merret edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet hetimore si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë, poashtu edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës janë në hetime të vazhdueshme”.

Përpos kësaj u tha se me vendim të Prokurorit të Shtetit trupi pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Me vendim të Prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Për më shumë informata për momentin nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtojmë integritetin e procedurës hetimore”, u tha tutje në përgjigje.

Në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci tha se viktima pak para se të humbte jetën, dyshohej se ishte nën ndikim të alkoolit dhe po sulmonte automjete e kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”,deklaroi ai.

Sipas Borovcit, me vendim të Prokurorit është iniciuar hetim penal në lidhje me rastin.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Borovci./Lajmi.net/