Vazhdojnë polemikat në Serbi

Ivica Dacic i kundërpërgjigjet Tomislav Nikolicit. Thotë se Qeveria e Serbisë ka prioritete më të rëndësishme sesa zgjedhjet. E kritikon atë se nuk ka kërkuar Qeveri më të mirë në kohën e formimit të saj. Atij nuk po i pëlqejnë polemikat publike.

Lajme

03/01/2014 17:45

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë prioritet, se nuk ka nevojë për një polemikë të hapur dhe se për këtë mund të vendosin partitë politike në pushtet dhe jo Qeveria e Serbisë.

Dacic, siç raporton B92, pas përfundimit të një vizite jashtë vendit, ka pohuar se lidhur me këtë çështje ka folur edhe me Zëvendëskryeministrin e parë Aleksandar Vucic.

“Ky nuk është vetëm qëndrimi im. Për zgjedhje kam biseduar edhe me Vucicin, nëse ai dëshiron të shkojë në zgjedhje atëherë le ta bëjë atë. Mirëpo, a duhet ne të fokusohemi në punë, apo të presim zgjedhjet. Qeveria e Serbisë nevojitet të punojë. Zgjedhjet nuk janë temë, ky nuk është prioritet shtetëror”.

Sipas tij, Qeveria serbe ka arritur një marrëveshjeve historike pasi që më 21 janar do të fillojnë bisedimet për anëtarësim të Serbisë në BE.

Dacic ka deklaruar se Dialogu në Bruksel, i cili do të mbahet gati çdo muaj, kërkon punë dhe për këtë Qeveria duhet të punojë.

“Mund të ketë edhe prioritete tjera shtetërore. Për këtë nuk ka dilema, ashtu siç nuk ka nevojë për polemika publike. Për këtë duhet të vendosin partitë të cilat përbëjnë koalicionin qeverisës dhe unë nuk dëshiroj më që të merrem me këtë çështje. Kjo nuk është çështje themelore, me të cilën duhet të merret Qeveria, por për partitë qeverisëse”.

Gjatë komentimit të deklaratës së Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolic, se Serbia mund të ketë një Qeveri më të mirë dhe se partia më e madhe duhet ta ketë Kryeministrin, Dacic është kundërpërgjigjur.

“Nuk ka folur kështu kur e kemi themeluar Qeverinë. Secili ka të drejtë për të shprehur mendimet e veta. Ndoshta edhe unë nuk kam mendime të tilla për funksionarët tjerë shtetërorë. Ndoshta edhe unë mendoj se ata mund të punojnë më mirë”.

I pyetur nëse mund të punojë më mirë, Dacic ka thënë se në Serbi çdokush mund të punojë më shumë, përfshirë edhe Qeverinë.

“Nëse dikush mundet më mirë, atëherë le të urdhërojë. Ne kemi arritur një përparim historik”.