Vazhdojnë investimet në Fabrikën e Ujit në Badoc
Në Fabrikën e Trajtimit të Ujit në Badoc janë përuruar investimet e fazës së parë të projektit rreth 35-milionësh për ndërtimin e filtrave. Faza e dytë është në vijim e sipër, ndërsa faza e tretë për ndërtimin e fabrikës në Shkabaj nis vitin e ardhshëm.
Lajme
Ministrat Besim Beqaj dhe Fadil Ismajlivizituan sot fabrikën e ujit në Badoc, së bashku me donatorët, përfaqësuesit e Qeverisë Gjermane dhe të Komisionit Evropian, siguruan se Prishtina do të ketë ujë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, tha se kompania e ujësjellësit “Prishtina” tashmë ka kaluar nga faza emergjente në fazën zhvillimore, gjë që është dhe meritë e vetë kompanisë, e cila ka punuar me afarizëm pozitiv, duke ngritur inkasimin, raporton Ekonomiaonline.
“Dhe është kaluar nga donacioni i qindpërqindtë në kombinim donacion dhe hua nga KfW-ja, respektivisht nga qeveria gjermane, ashtu dhe nga Komisioni Evropian”, tha ai, për gazetarët.
“Nga këtu po dërgojmë një mesazh atyre që ishin në panik, megjithëse edhe vetë ndoshta ishim: Prishtina do të ketë ujë. Nuk ka vend për frikë se Prishtina do të mbetet pa ujë”, tha ministri Ismajli.
Ministri i Financave, Besim Beqaj, bëri të ditur se projekti i rezervuarit është diskutuar në konsultat bilaterale me Qeverinë Gjermane në vitin 2008, dhe sot jemi krenar që faza e parë për rehabilitimin e rrjetit është përfunduar, faza e dytë do të rrumbullakësojë rindërtimin e fabrikës së Badovcit që ka operuar plot 53 vite.
“Ky projekt i cili është iniciuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane dhe dëshmon suksesin e garantuar për projekte të rëndësisë madhore në Republikën e Kosovës”, tha ministri Besim Beqaj, i cili falënderoi partnerët për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij projekti vital për Kosovën.
“Rëndësia e rritjes së kapaciteteve për KUR Prishtina qëndron në faktin që Kompania furnizon me ujë të pijshëm komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës dhe Drenasit, respektivisht shërben rreth 40% të popullatës së Kosovës”.
Drejtori i Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës, Gjelosh Vataj, ka konfirmuar se tashmë ka nisur furnizimi i kryeqytetit nga liqeni i Ujmanit.
Në ceremoninë e hapjes së themelit për fazën e dytë të investimeve në kompaninë e ujësjellësit të Prishtinës merrnin pjesë dhe zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Matthias Kiesler; Johanna Brüggemann nga Ministria për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në Qeverinë e Gjermanisë dhe shefi i operacioneve i BE-së në Prishtinë Christof Stock.
Ata vizituan dhe rezervuarin që u financua me fazën e parë të investimeve, si dhe Fabrikën më të vjetër të trajtimit të ujit në Kosovë, raporton Ekonomiaonline.