Vazhdojnë gërmimet për të pagjeturit, familjarët të pakënaqur
Autoritetet e Kosovës, gjatë vitit 2019, kanë kryer gërmime në 26 lokacione brenda territorit të Kosovës, të dyshuara për varreza masive dhe gërmimet në Kampusin universitar në Prishtinë, të cilat përfunduar rreth tre ditë më parë pa gjetje, nuk janë të fundit për këtë vit thonë zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.
Lajme
Megjithatë, Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht numrit të lokacioneve të proceduara dhe në të cilat janë kryer gërmimet gjatë këtij viti, mbetet shqetësues numri i paktë i gjetjeve të mbetjeve mortore apo pjesëve kockore.
“Janë diku mbi 20 për qind nga ky numër i përgjithshëm i lokacioneve që kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore. Janë zhvarrosur të paktën gjashtë apo shtatë persona, por megjithatë do të kursehem pak nga këto statistika, për shkak se vetëm pasi që të përfundojnë të gjitha ekzaminimet nevojshme mjeko-ligjore dhe pasi të përfshihen në këto raste edhe identifikimet përmes analizës së ADN-së, mund të konfirmohet numri i saktë i individëve apo personave të zhvarrosur”.
“Besoj që edhe në këtë javë, përkatësisht, nga e mërkura, do të jemi në lokacionin e shënjuar brenda hapësirës së varrezave në Mitrovicë të Veriut. Edhe në këtë lokacion kemi punuar paraprakisht, në disa raste, nga të cilat, në disa pika, disa prej gërmimeve kanë rezultuar me gjetje dhe në disa rezultati ka qenë negativ”.
Por, përfaqësuesit e Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, shprehen të pakënaqur me punën e deritashme që është bërë për hulumtimin, gërmimin dhe gjetjen e mbetjeve mortore apo zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, duke folur për Radion Evropa e Lirë, kritikon qasjen e autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Nuk kanë strategji, që t’ia nisin me Prishtinën dhe ta përfundojnë atë. Nuk kanë strategji që t’ia nisin (hulumtimet dhe gërmimet) që t’i përfundojnë lokacionet brenda Kosovës. Nuk kanë strategji që t’i përfundojnë as jashtë Kosovës. Ia fillojnë në Rudnicë (Serbi), punojnë tre apo katër ditë dhe kthehen. Në Jalovishte ngjashëm. Edhe shumë të tjera, ku nuk i përfundojnë punët, por i lënë gjithmonë përgjysmë. E si të jemi ne të kënaqur? Jo, neve gjithmonë po na i shtojnë plagët”, tha Qerkini.
Ndërkaq, Gara thotë se gjatë këtij viti në Serbia janë bërë gërmime vetëm në dy lokacione të dyshuara për varreza masive, në Jalovishte dhe Kizhevak, por në ato lokacione nuk është përfshirë hapësira e nevojshme dhe ato kanë mbetur të papërfunduara.
“Ka informacione edhe për një numër të rasteve, kryesisht që lidhen me rajonin e Rashkës dhe rajonin e Novi Pazarit, që ne i kemi prezantuar si informata, por të cilat nuk janë adresuar ende, në kuptimin, qoftë të caktimit të datës për të realizuar gërmimin vlerësues, që nënkupton se nuk janë proceduar ende për fillimin e gërmimeve. Por edhe në këto rastet që janë realizuar gërmimet, në rastet e Jalovishtes dhe Kizhevakut, që të dy rastet janë të papërfunduara. Do të thotë, e tërë hapësira që është shënjuar, nuk është përfshirë në kuadër të gërmimeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti apo edhe në vitet paraprake”, tha Gara.
Të hënën në Prishtinë janë takuar delegacionet e shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur të Kosovës dhe të Serbisë. Të dy delegacionet kanë vënë lule pranë obeliskut që u dedikohet të pagjeturve, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Qerkini thotë se delegacionet e shoqatave të familjarëve të të pagjeturve nga Kosova dhe Serbia janë marrë vesh që të punojnë për një strategji të përbashkët, për të adresuar çështjen e të pagjeturve.
“Edhe ata ishin të zhgënjyer si unë. U tha që as shteti i Serbisë e as ai i Kosovës nuk po punojnë sa duhet. Kërkesa më e madhe është që edhe Beogradit, por edhe Prishtinës, t’iu bëhet trysni më e madhe dhe që trysnia të fokusohet mbi komisionet qeveritare dhe grupet punuese që ata të punojnë. Nëse nuk mund të punojnë, le të japin dorëheqje. Të kërkojnë më shumë prej bashkësisë ndërkombëtare. Është njëfarë përfundimi që në bashkësinë ndërkombëtare kanë fotografi satelitore dhe mund të kryejnë punë”, tha Qerkini.
Rreth 6 mijë e 500 persona, kanë rezultuar si të pagjetur në përfundim të luftës në Kosovë, në vitin 1999.
Në varrezat masive në Kosovë dhe në Serbi, tashmë janë gjetur rreth 70 për qind e tyre.
Ndërkaq, fati dhe vendndodhja e rreth 1 mijë e 600 personave të tjerë, mbeten ende të pandriçuara.