Vataj: Studentët s’mund ta shkarkojnë Rektorin

Deputeti i PDK’së, Ramë Vataj, thotë se gjendja në UP është shqetësuese. Mendon se nuk i përket studentëve të shkarkojnë dikë pasi që ekzistojnë mekanizma adekuat për këtë gjë. Thotë se nuk është në rregull që një historian të publikojë punim për minerale.

Lajme

06/02/2014 09:45

Deputeti i PDK’së, Ramë Vataj, thotë se përderisa Komisioni Vlerësues nuk del me vlerësimin e tij për rastin e Rektorit Ibrahim Gashi, ai s’ka pse të jep dorëheqje.

E aq më pak ka arsye kur dorëheqja, sipas tij, i kërkohet vetëm nga një grup studentësh.

Në një intervistë në Programin e Mëngjesit në RTK, Vataj tha se ekzistojnë mekanizma që mund të shkarkojnë një person brenda UP’së.

“Derisa një Komision Vlerësues nuk e jep ekzakt se a ka qenë një publikim me vlera dhe a i ka takuar që t’i botojë punimet aty a jo, se për revistën nuk diskutojë”.

“Veprimet e Rektorit Gashi duhet të jenë pastaj në varësi të vlerësimit që do të japin njerëzit profesional dhe jo njerëzit në rrugë”.

“Nëse kërkohet dorëheqja ka organe të caktuara që duhet të merren me këtë gjë”.

“Për avancime për shkarkime janë gjëra të rregulluara me statut të UP’së”.

“Dhe, aty nuk shkruhet askund që një grup i studentëve të shkarkojnë Rektorin. Janë mekanizma se si shkarkohet dikush, si ju hiqen titujt”.

Ramë Vataj thotë se gjendja në UP është shqetësuese andaj sot do të diskutojnë në Parlament në mënyrë që t’i ofrohen rekomandime Ministrisë së Arsimit.

“Gjendja është shqetësuese në Universitetin e Prishtinës për shkak të disa aferave që u bënë publike. Mandej është vështirësuar shumë edhe me protestën e studentëve dhe tash të qytetarëve që kanë nisur të bashkëngjiten”.

“Iniciativa ka qenë nga LDK që të bëhet një debat parlamentar dhe që të gjithë e kemi mbështetur. Ky debat që do të bëhet sot përveç që do të diskutohet gjendja aktuale do të dalin edhe rekomandime të cilat do të jenë obliguese për Ministrinë e Arsimit”.

“Mendoj se gjendja ka qenë vazhdimisht e keqe por tash ka dal më shumë në sipërfaqe”.

“Mendoj se nuk është e keqe aq sa thuhet por as e mirë nuk është”.

“Unë mendoj që është dashur të flitet në përgjithësi për gjendje e arsimit të lartë, dhe jo vetëm UP”.

Vataj mendon se protesta është politizuar shumë.

“Kjo gjendje që ka eskaluar më tepër është e ndikuar politikisht. Unë kam informata që shumica që janë aty protestues nuk janë fare studentë të UP, por janë të universiteteve private apo dhe aktivisht të Lëvizjes Vetëvendosje”.