Varret pa qetësi, familjarët e të pagjeturve në Kosovë i përcjellin identifikimet e pasakta

Me kokën ulur, i veshur në rrobat e punës, Flurim Hajdari bën rrugën drejt gjashtë varreve të vëllezërve dhe babait të tij. Flurimit i ishte vrarë pjesa më e madhe e familjes gjatë masakrës së 26 marsit të vitit 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit. Çdo ditë, kur ai udhëton nga puna në shtëpi,…

Lajme

27/04/2025 16:16

Me kokën ulur, i veshur në rrobat e punës, Flurim Hajdari bën rrugën drejt gjashtë varreve të vëllezërve dhe babait të tij.

Flurimit i ishte vrarë pjesa më e madhe e familjes gjatë masakrës së 26 marsit të vitit 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Çdo ditë, kur ai udhëton nga puna në shtëpi, sytë i kalojnë mbi pllakat e shtruara mbi varre.

Por, gjashtë varret mbajnë vetëm pesë emra.

Njëri mbetet i thatë, pasi që një vëlla i Flurimit, Veseli, është ende i pagjetur.

“Ndodh që kaloj këtu dhjetë herë në ditë, dhjetë herë në ditë e kam kokën të kthyer këtej. Unë i kam krejt të mitë këtu”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Këto vizita e mbushin me kujtime, mërzi, por edhe zemërim.

Rreth nëntë vjet më parë, i veshur edhe atëherë me rrobat e punës si shtrues pllakash, Flurimi kishte nxituar drejt këtyre varreve pas një telefonate.

“Më ka telefonuar një shok edhe më ka thanë se janë duke të t’i hequr vëllezërit”, kujton Flurimi ditën kur kishte marrë vesh se trupat e tre vëllezërve të tij të mëdhenj po zhvarroseshin nga zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

“Kur kam mbërritur, nuk më linin të afrohesha për të parë se çfarë po ndodhte. Eskavatori kishte hyrë mes varreve edhe veç hapnin gropa. Nuk më tregonte askush se çfarë po ndodhte”, shton ai.

E, çfarë po ndodhte?

Më 25 gusht të vitit 2015 – pesë ditë para Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë – përfaqësues të EULEX-it kishin zhvarrosur trupat e tre vëllezërve të Flurimit – Nazim, Rasim dhe Selajdin Hajdarit – me arsyetimin se duhej të verifikoheshin disa informata.

Eshtrat që deri atëherë kishin qenë në ato varre, ishin marrë dhe ishin dërguar në Prishtinë për teste të tjera. Disa muaj më vonë, Flurimit i ishte thënë se, në fakt, eshtrat në ato varre u përkisnin edhe shtatë njerëzve të tjerë, gjithashtu të pagjetur nga masakra në Krushë të Vogël.

Si ka rrjedhur ngjarja?

26 mars 1999

Dy ditë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, pesë vellëzrit – nga mosha 12 deri në 33 vjeçe – dhe babai 64-vjeçar i Flurimit vriten në masakrën e Krushës së Vogël.

26 mars 2007

Trupat e Nazim dhe Rasim Hajdarit i dorëzohen familjes dhe varrosen te varrezat e Krushës së Vogël. Një natë më parë, familjes i ishte thënë gabimisht nga autoritetet se trupat u përkisnin Nazimit dhe Selajdinit.

26 mars 2009

Trupi i Selajdinit i dorëzohet familjes me shpjegimin se ai ishte identifikuar përmes analizave të ADN-së.

25 gusht 2015

Trupat e tre vëllezërve zhvarrosen. Familjes i thuhet se, më parë, analizat e ADN-së nuk u ishin bërë të gjitha eshtrave.

26 mars 2016

Rivarrosen eshtrat e tre vëllezërve të Flurimit dhe shtatë personave të tjerë që u tha se ishin identifikuar.

“Unë nuk e di se si dolën prej tre personave edhe shtatë të tjerë. Nuk e di. Unë më nuk kam pse t’iu besoj. Nuk është hera e parë. Më kanë zhgënjyer, më kanë gënjyer. Këto gjëra na kanë lodhur më së shumti”, thotë Flurimi.

Përveç mbi 13 mijë personave të vrarë, lufta në Kosovë e viteve 1998/99 la trashëgimi edhe shumë të pagjetur. Ndër vite janë identifikuar dhjetëra varreza masive në Kosovë dhe Serbi. Aktualisht, familjet në Kosovë janë ende në kërkim të 1.612 të pagjeturve, sipas të dhënave të Kryqit të Kuq.

Menjëherë pas luftës në Kosovë, përgegjës për kërkimin dhe identifikimin e trupave të personave të pagjetur ishte Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) e më pas edhe EULEX-i dhe autoritetet kombëtare në Kosovë, si Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Më herët, EULEX-i ka thënë për BIRN-in se rreth pesë për qind e trupave të personave të pagjetur, janë identifikuar gabimisht.

I pyetur nga REL-i, ky mision nuk dha ndonjë shifër se sa raste të tilla janë regjistruar, por tha se ato ishin një përqindje e vogël e “mbi 2.000 identifikimeve tradicionale të zhvarrosura nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në vitet 1999-2000”.

Si identifikim tradicional përshkruhet rasti kur familjarët i identifikojnë vetë trupat e personave të pagjetur, qoftë përmes njohjes së tipareve të fytyrës apo rrobave që kishin veshur.

EULEX-i thekson se shumë nga rastet e identifikuara në këtë formë, në fund rezultuan të kenë qenë të sakta, edhe pas testeve të ADN-së.

Por, përdorimi i kësaj metode të identifikimit në vend të metodave më shkencore, si analizat e ADN-së, ka sjellë pasoja afatgjate për Kosovën, thotë Mathew Holliday, shef i programit të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP) për Evropë.

“Nëse një familje beson se e ka mbyllur rastin, se e ka gjetur familjarin e zhdukur, ajo nuk do të ofrojë mostra gjenetike për ta ndihmuar identifikimin. Por, çfarë nëse ata e kanë varrosur gabimisht vajzën apo djalin e dikujt tjetër?!”, pyetet Holliday.

Ai shton se kjo, pastaj, bën që edhe kur trupi i vërtetë i familjarit të tyre të gjendet, ai të mos identifikohet, pasi që ekipi i mjekësisë ligjore nuk i ka mostrat e ADN-së për ta testuar lidhjen familjare.

Që nga viti 2002, ICMP-ja ia mundësoi Kosovës që të dërgojë në Bosnje e Hercegovinë mostra për testim të ADN-së, për ta ndihmuar procesin e identifikimit të trupave të personave të pagjetur.

Holliday thekson rëndësinë që gabimet e së kaluarës të përmirësohen dhe të identifikohen sa më shumë nga rreth 400 mbetjet që mbeten të paidentifikuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Por, ai thekson se kjo duhet të bëhet në një mënyrë që të mos lëndohen edhe më shumë familjarët.

“Nuk duhet të shkohet te varret e atyre që u identifikuan pa teste të ADN-së dhe të nisë zhvarrimi. Duhet të analizohen të gjitha të dhënat dhe kur ka indikacione që mund të jetë bërë ndonjë gabim, atëherë të kontaktohen familjet”, sqaron Holliday.

Gërmimet në Volljak të Klinës, më 19 prill 2005.

Ai thotë se familjarëve duhet t’u merren mostrat e ADN-së, të cilat mund të përdoren për të testuar lidhjen familjare me ndonjë trup tjetër të gjetur, për të verifikuar nëse trupi i varrosur është keqidentifikuar.

“Duhet të ndiqet kjo qasje shumë e targetuar, që është e ndjeshme ndaj familjeve”, shton shefi i ICMP-së për Evropë.

Këtë qasje do të donte ta kishte pasur edhe Flurimi.

Ai thotë se pas një kohe, ai ka humbur besimin e familjarëve të tij – nënës dhe grave të tre vëllezërve të tij të mëdhenj.

“Edhe familja e humbi besimin tek unë. Më thoshin se ti po bëhesh i butë, po i pranon dhe ata po t’i ndërrojnë trupat vit për vit”, thotë Flurimi.

“Kur e gjetën vëllain e vogël dhe babain, më thoshin që nuk janë ata, por vetëm ti po i pranon”, tregon Flurimi.

Ai thotë se kjo humbje e besimit e kishte rënduar më së shumti, pasi që ndiente përgjegjësinë e gjithë familjes mbi shpatullat e tij.

Këtë lloj barre për mirëqenien e familjes së tij – përfshirë gratë dhe gjashtë fëmijët e vëllezërve të vrarë – e bart që nga fundi i luftës në Kosovë.

Ai kujton lotët dhe britmat e nënës së tij kur ajo ka marrë vesh për vdekjen e pjesës më të madhe të familjes dhe momentin kur ajo i është drejtuar me vetëm një fjali:

“Të paça ty”.

Tani, darkat e paraluftës, kur gjithë familja hante e qeshte së bashku, i kujton me mall sa herë që ulet në sallonin e shtëpisë…

Sa herë që shikon fotografitë e tyre në murin e odës së shtëpisë…

Sa herë që ulet në vendin e preferuar në oborrin e shtëpisë…

…dhe sa herë që shikon fytyrat e familjarëve që u ngjasojnë më të dashurve që tani s’i ka më afër.

Tani, edhe pse thotë se ka humbur besimin në institucionet dhe procesin e identifikimit të trupave, ai ende shpreson se vëllai i tij që është ende i pagjetur, do të identifikohet së shpejti.

“Nëse gjendet edhe ai, më qetësohet trupi krejt. Ndryshe është kur ke ku të shkosh, ku të qash… Varri është thatë aty, unë e kam ndarë për atë vëlla. Kam shpresuar të gjendej deri tash. Dëshirën më të madhe e kam ta gjej, të vijë edhe ai në vend të vetin”, përfundon Flurimi./Radio Evropa e Lirë/