Valon Syla kritikon zbatimin selektiv të vendimit për energjinë: “Kurti ua ndal rrymën bizneseve shqiptare, por jo atyre serbe në Veri”
Analisti Valon Syla ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së zbatimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut energjetik, duke akuzuar qeverinë Kurti për standarde të dyfishta karshi bizneseve në Kosovë. Në një postim në rrjetet sociale, Syla ironizoi me faktin se ndërprerjet e energjisë po zbatohen për bizneset shqiptare…

Lajme
Analisti Valon Syla ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së zbatimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut energjetik, duke akuzuar qeverinë Kurti për standarde të dyfishta karshi bizneseve në Kosovë.
Në një postim në rrjetet sociale, Syla ironizoi me faktin se ndërprerjet e energjisë po zbatohen për bizneset shqiptare në jug të vendit, ndërkohë që në komunat me shumicë serbe në veri – ku qeveria e Kosovës ka kufizim të ndikimit real – nuk po merret asnjë veprim konkret, transmeton lajmi.net
“Albin Kurti s’e paska ndal strujën, veç rrymën bizneseve. Albin Kurti ua paska ndal veç rrymën bizneseve shqiptare… Por s’ua paska ndal strujën bizneseve serbe në Veri, se atje është tokë e çliruar”, shkroi Syla, duke përmendur me sarkazëm moszbatimin e vendimit në veri të Kosovës.
Ky reagim vjen pas raportimeve se liberalizimi i tregut energjetik po shoqërohet me ndërprerje të rrymës për bizneset që nuk kanë kaluar në furnizues të licencuar, kryesisht në pjesën jugore të vendit. Ndërkohë, në veri – ku komunat me shumicë serbe vazhdojnë të mos i paguajnë faturat e energjisë – situata mbetet e pandryshuar.
ZRRE kishte paralajmëruar se nga muaji gusht, operatori KEDS nuk do të furnizojë më me energji biznese që nuk kanë kontratë me furnizues të licencuar. Megjithatë, në katër komunat në veri (Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku), ky vendim po raporohet se nuk është zbatuar, duke nxitur kritika për trajtim të pabarabartë dhe mungesë të sundimit të ligjit./lajmi.net/