Valët e nxehta të PTK’së në Kuvend
Shitja e PTK’së pritet të jetë një pikë e fortë e debatit në Kuvendin e Kosovës. Kryesia nuk e ka futur në rend të ditës. Por, Adem Grabovci thotë se kjo pikë do të hyjë patjetër. Si? Për këtë, vendoset të mërkurën.
Lajme
Shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës nuk do të jetë në rendin e ditës për seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.
Kështu u tha zyrtarisht pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku nuk u përfshi në rendin e ditës kjo pikë e ndjeshme që ka hasur në rezistencën e opozitës, e cila po kundërshton formën aktuale të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK’së.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e quajti të paligjshëm procesin që është zhvilluar për shitjen e PTK’së, pasi që, sipas tij, nuk është përfillur Ligji për Privatizimin e Ndërmarrjeve Publike.
“Kërkoj nga gazetarët që i përcjellin punimet e Kuvendit, ta shikojnë Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Neni 9, Pika 1 e këtij ligji thotë se ndërmarrjet publike privatizohen pas vendimit të Qeverisë dhe dërgimit të atij vendimi në Kuvend. E tek pasi Kuvendi voton për atë vendim për shitjen e aksioneve, zhvillohen procedurat e privatizimit”.
“Në rastin tonë janë zhvilluar të gjitha procedurat e privatizimit. Blerësi s’ndihet komod dhe për ta shyrë, apo ndoshta dhe për ta ndihmuar shtyrjen e këtij procesi, lënda ka ardhur në Kuvend dhe si e tillë është e paligjshme”
Ndryshe nga Krasniqi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, shprehet i bindur se çështja e shitjes së PTK’së do të jetë në rend të ditës në seancën e radhës së Kuvendit.
Por, ai nuk ka qenë pjesë e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Një herë ai dhe Shefat tjerë të Grupeve Parlamentare ishin ftuar që të marrin pjesë, por pastaj pjesëmarrja e tyre ishte anuluar.
Adem Grabovci nuk di pse ka ndodhur kjo.
“Ne sot kemi qenë të ftuar në mbledhjen e Kryesisë. Mirëpo, është anuluar pjesëmarrja e Shefave të Grupeve Parlamentare. Nuk i di arsyet. Nuk kemi sqarime dhe nuk e di a do të mbahet seanca apo jo. Nuk mund t’ju them asgjë për këtë çështje”.
“Çështja e PTK’së e dimë që është një çështje e pambyllur dhe proceduralisht duhet të përfundojë. Përderisa me vendim unanim të Kryesisë është futur në rend të ditës, është debatuar, është shtjerrë debati në tërësinë e tij, tani ka mbetur vetëm votimi. Në mungesë të kourumit nuk është hedhur në votim dhe ajo sipas rregullores tani duhet të hedhet në votim dhe ne duhet të vazhdojmë më tutje”.
“Nga seanca e kaluar, me kërkesën time është hequr nga rendi i ditës për shkak se 22 deputetë nuk kanë qenë prezentë, prej tyre 12-13 deputetë të koaliconit që ishin në udhëtime zyrtare. Tani unë e di që deputetët janë kthyer dhe në seancën e radhës, që do të mbahet, do të jetë patjetër pikë e rendit të ditës”.
“Jo pse dëshiroj unë, por se është rregull dhe rregullat duhet të respektohen dhe kjo çështje duhet të përfundojë”.
“Rregullorja vlen për të gjithë. Askush nuk ka të drejtë të shkelë Rregulloren e Punës. Pikat e mbetura, duke përfshirë edhe Postën, duhet të futen në rendin e ditës në seancën e radhës”.
Adem Grabovci mohon që koaliconi të jetë në krizë të votave për të votuar shitjen e PTK’së. Ai pret që së pari kjo pikë të përfshihet për seancën e radhës, dhe aty ai thotë se do të ketë vota të mjaftueshme të kaoliconit qeveritar.
“Mungesa e kourimit nuk e ka vënë në pikëpyetje koaliconin as funksionalizimin e Kuvendit. Ndodh që në mungesë të kourumit të mos votohet diçka, por në seancën e radhës do të aprovohet dhe do të jenë votat e majftushme”.
“Koalicioni i ka votat e mjaftueshme për të kaluar çdo ligj dhe çdo gjë që kërkohet”.
Duket se vazhdimi i seancës së caktuar për këtë të mërkurë do të risjellë tensionet dhe debatet e forta që kanë përcjell seancën e kaluar kur dështoi katër herë radhazi votimi për shitjen e aksioneve të PTK’së në mungesë të kourumit.
(Video: lajmi.net)