Ushtrimi i përbashkët Policia e Kosovës–Ambasada Amerikane për reagim ndaj krizave përmbyllet me sukses në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave, i zhvilluar sot në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, është realizuar me sukses të plotë. Aktiviteti u organizua në zonën përreth Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria, me qëllim testimin e gatishmërisë institucionale dhe forcimin e kapaciteteve të reagimit…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave, i zhvilluar sot në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, është realizuar me sukses të plotë.
Aktiviteti u organizua në zonën përreth Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria, me qëllim testimin e gatishmërisë institucionale dhe forcimin e kapaciteteve të reagimit në situata të mundshme emergjente, raporton lajmi.net
Sipas PK-së, gjatë ushtrimit u angazhuan rreth 790 zyrtarë policorë nga njësi të ndryshme, të cilët demonstruan funksionimin efikas të mekanizmave të komunikimit, reagimit të shpejtë dhe koordinimit ndërinstitucional.
Në kuadër të operacionit u përdorën mjete të specializuara të sigurisë, u testuan procedura operative dhe u simuluan skenarë të ndryshëm të menaxhimit të krizave.
Postimi i plotë:
Realizohet me sukses ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave nga Policia e Kosovës dhe Ambasada Amerikane
Prishtinë, më 12 dhjetor 2025
Policia e Kosovës (PK) njofton opinionin publik se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë është zhvilluar me sukses të plotë. Ushtrimi, i realizuar në zonën e Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria, ka pasur për qëllim vlerësimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në situata të mundshme të krizave dhe emergjencave.
Gjatë këtij ushtrimi i cili u trajtua mjaft seriozisht nga PK-ja, u angazhuan rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme, ku u demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit dhe reagimit të shpejt, si dhe bashkëveprimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës me personelin e sigurisë së Ambasadës Amerikane. Aktivitetet e planifikuara përfshinë përdorimin e mjeteve të specializuara të sigurisë, testimin e procedurave operative dhe simulimin e skenarëve të ndryshëm të menaxhimit të krizave.
Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u realizua pa incidente, duke ofruar mundësi për të vlerësuar dhe përmirësuar qasjet operacionale të sigurisë. Policia e Kosovës vlerëson lartë performancën e të gjitha Departamenteve, Drejtorive dhe Njësive Policore të angazhuara, e në veçanti falënderojmë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, të cilët treguan kulturë të lartë dhe mirëkuptuan riorientimin e ndërprerjet përkohshme të qarkullimit të trafikut në zonën e ushtrimit.
Ky ushtrim konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera të përfshira, me synim garantimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në Republikën e Kosovës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme që rrisin ndjenjën e sigurinë dhe gatishmërinë institucionale për çdo situatë emergjente./Lajmi.net/