“Ushtria s’guxon ta gabojë rrugën”, eksperti i sigurisë: Shkuarja e FSK-së në veri, jo serioze​

Ismet Ibishi, ekspert i sigurisë, ka folur lidhur me hyrjen e disa automjeteve të FSK-së në veri të vendit, ngjarje që më vonë është sqaruar nga vet FSK dhe Policia e Kosovës si një ngatërrim teknik. Ai ka theksuar se marrëveshja mes institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të NATO-s duhet respektuar, duke e cilësuar rastin…

Lajme

16/10/2025 20:30

Ismet Ibishi, ekspert i sigurisë, ka folur lidhur me hyrjen e disa automjeteve të FSK-së në veri të vendit, ngjarje që më vonë është sqaruar nga vet FSK dhe Policia e Kosovës si një ngatërrim teknik.

Ai ka theksuar se marrëveshja mes institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të NATO-s duhet respektuar, duke e cilësuar rastin si jashtëzakonisht jo serioz.

“Ajo duhet të mirëmbahet me përpikëri dhe është shumë joserioze, për të mos thënë joprofesionale, që të ndodhin gjëra të tilla. Për të lëvizur trupat tanë në veri të vendit duhet paraprakisht miratim nga forca e NATO-s, gjegjësisht KFOR-i, për të menaxhuar ndonjë situatë emergjente. Siç e dini, ka qenë një rast kur patëm humbjen e jetës së një qytetari tonë në liqenin e Ujmanit…”, ka thënë ai në TV Dukagjini.

Ibishi ka shtuar se në çdo ushtri, çdo marshimi i paraprin një automjet i policisë ushtarake apo i zyrtarëve të autorizuar, të cilët paraprakisht sqarojnë itinerarin, rrugëtimin, pushimet dhe ngjarjet që do të ndodhin gjatë rrugës.

“Kjo është joprofesionale, joserioze dhe mendoj se kjo shkelje në asnjë mënyrë nuk është dashur të ndodhë. Kjo ul shumë përshtypjen e autoriteteve profesionale ushtarake dhe tregon se jemi joseriozë. Më mirë të thuhej se është shkuar për një qëllim tjetër sesa të thuhet se ‘u gabua rruga’. Ushtria nuk guxon ta bëjë këtë, nuk duhet të ndodhë. Kjo është shumë joprofesionale. Ushtria jonë duhet të marrë përgjegjësi dhe kjo ngjarje duhet të ndëshkohet nga autoritetet e FSK-së, si një rast që duhet t’u japë mesazh të qartë rasteve të tjera që të mos përsëriten. Kështu që kjo është një shkelje serioze nga trupat tona të FSK-së”, ka përfunduar Ibishi.