“Ushtarët rusë” i rrëfehen OSBE-së
Dy ushtarët e kapur nga trupat ukrainase të shtunën e kaluar, kanë pranuar se janë anëtarë të forcave të armatosura ruse.

Bota
Dyshja është intervistuar në një spital ushtarak në Kiev nga anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
“Ata ishin të armatosur, por janë deklaruar se nuk kanë pasur urdhër të sulmonin”, ka thënë njëri prej intervistuesve të tyre, njofton BBC, transmeton lajmi.net.
Rusia nuk i komentuar deklaratat e dy ushtarëve të kapur nga forcat ukrainase, por ditë më parë, Moska zyrtare është shprehur se dy të arrestuarit nuk ishin ushtarë të rregullt në Ushtrinë Ruse.
Sipas intervistuesve të OSBE-së, dy rusët e arrestuar kishin udhëtuar për në Ukrainë në një “mision zbulimi”.
“Njëri prej tyre tha se kishte marrë urdhra nga njësia e tij ushtarake për të shkuar në Ukrainë. Që të dy, u shprehen se kishin qenë me misione zbulimi edhe më përpara, dhe se këtë e bënin me rotacion, çdo dy ose tre muaj”.
“Por, njëri prej tyre ka theksuar në mënyrë të përsëritur se nuk ka pasur trupat ruse të rregullta që janë përfshirë direkt në luftë, në Ukrainë”.
Qeveria e Ukrainës, liderët perëndimorë dhe NATO thonë se ka prova të qarta se Rusia po ndihmon rebelët me armë të rënda dhe ushtarë.
Moska mohon pretendimet e Perëndimit, duke këmbëngulur se çdo rusë që ka marrë pjesë përkrah rebelëve në luftë me trupat ukrainase në rajonet Donetsk dhe Luhansk, në lindje të Ukrainës, janë “vullnetarë”.
Dy ushtarët janë plagosur dhe kapur nga trupat e Ukrainës në qytetin e Shchastya, gati 30 kilometra larg kufirit rus. Ata janë akuzuar për përfshirje në “veprimtari terroriste”.
Rebelët pro rusë të Ukrainës lindore kanë thënë se ushtarët e kapur peng nga ushtria ukrainase, nuk janë nga Rusia, por sipas tyre, ishin policë nga rajoni Luhansk.
Armëpushimi në Ukrainën lindore i arritur tre muaj më parë vazhdon të shkelet herë pas here, ndërkohë që akuzat për prishje të paqes janë të ndërsjella.
Të enjten e kaluar Ushtria e Ukrainës njoftoi se një ushtar i saj është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi të separatistëve, të cilët, të përkrahur nga Rusia, nxitën konfliktin pas aneksimit të gadishullit ukrainas, Krimesë, nga Moska zyrtare.
Më shumë se 6,000 njerëz janë vrarë në luftimet që filluan në prill të vitit të kaluar, kur rebelët morën kontrollin e rajoneve lindore ukrainase, të Donetsk dhe Luhansk. /lajmi.net/