Uran Ismaili: Pacientët e onkologjisë po detyrohen t’i blejnë vetë barnat që kushtojnë me mijëra euro

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Uran Ismaili, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ka kritikuar gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe abuzim me buxhetin publik. Ismaili tha se në shëndetësi po…

Lajme

19/05/2026 21:02

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Uran Ismaili, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ka kritikuar gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe abuzim me buxhetin publik.

Ismaili tha se në shëndetësi po ndodh, siç u shpreh ai, “po vjedhet para syve”, ndërsa pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë shërbimesh dhe barnash.

“A e dini që janë duke ua vjedhur buxhetin në Ministrinë e Shëndetësisë? Një patericë që kushton 20 euro po blihet 130 euro. Një shkop që blihet 20 euro po blihet 100 euro. Ky është realiteti”, tha Ismaili.

Ai përmendi edhe problemet me furnizimin me barna dhe trajtimin e pacientëve me kancer, duke thënë se ata po përballen me vështirësi serioze për të marrë terapinë e nevojshme.

“Pacientët e onkologjisë nisen prej orës 4 ose 5 të mëngjesit për të marrë një numër dhe për të siguruar kimioterapinë. Ata po detyrohen të paguajnë me mijëra euro për barnat e nevojshme. Në shëndetësi është rritur buxheti, por nuk janë rritur shërbimet, janë fuqizuar kompanitë. Ky është realiteti”, u shpreh ai.

Ismaili ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës 2017–2019. Gjatë mandatit të tij, ai është përmendur për disa reforma në sektor, përfshirë uljen e listës së pritjes për stenta, ndryshimet në menaxhimin e listës së barnave esenciale dhe masat për rritjen e transparencës në shëndetësi.