Ura e Gurit në Vushtrri që ka shekuj pa e parë ujin nën të

E ndërtuar nga gurët e gjatë rreth 1 metër, e të gjerë 30 deri 40 centimetra, të gdhenur mirë e të murosur me rende paralele, kjo është Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri. Ndër të paktat ura pa lum, pasi dikur kalonte Sitnica, e më pas lumi ndërroi rrjedhën për një kilometër.

Lajme

31/01/2018 13:54

Gjatësia prej 136 metrash e gjerësia prej 6 metrash është arritur të ndërtohet me gurët autokton. Për ndërtimin urës janë pëdorur gurë dyngjyrësh, të bardhë dhe të kuq. Për lidhje më të mirë të tyre, në fugat ndarëse, është përdorur plumbi i shkrirë. Të paktën kështu thotë ciceroni i Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Vushtrrisë, Avdi Mehmeti.

“Gjithë këta gurë me të cilët është ndërtuar Ura e Gurit janë marrë nga fshatrat përreth qytetit të Vushtrrisë. Disa gurë janë marrë në Samadrexhë, disa në Strofc, Smrekonicë. Ka gurë me gjerësi deri në 1 metër dhe janë gurë shumë të qëndrueshëm”, tha Mehmeti.

Ndërtimi i pesë harqeve të para të urës zgjati 3 deri në 4 vite. Burimet shkencore tregojnë se Ura e Vjetër e Gurit që i takon shekullit III dhe IV, kishte 12 harqe. E sot ura që shohim është me 9 harqe, që i takon shekullit XIV.

Deri në vitin 1902 ura në mes kishte një lartësi diku 7,5 metra. Tani nga ajo lartësi e urës mund të shihen vetëm 3,7 metra. Kjo vërteton atë se nën harqet e urës kanë kaluar pa problem qerret e mbushura me sanë.

Ciceroni Mehmeti tregon se ura kishte shërbyer për të lidh fshatrat me qytetin. E për krejt diçka tjetër u shfrytëzua ajo menjherë pas luftës. Aty u pat vendosur një treg.

“Menjëherë pas luftës, kjo urë ka shkuar në shkatërrim e sipër. Në këtë pjesë mbi urë ke mundur të shohësh traktorë, një treg të gjelbër. Mirëpo, falë pronarit që ka marr një iniciativë me ndërtu një restorant familjar mund të themi se ka bërë një pamje krejt ndryshe”, potenoci ai, duke thënë se intervenimet duhet të bëhen pashmangshmërisht.

Edhe kjo urë, si shumë monumente tjera në vend, ka qenë pjesë e propagandës sllave për ta përvetësuar.

“Thuhet se sunduesit më të fundit që kanë qenë në Kosovë, sllavët, Urën e Gurit por edhe shumë monumente tjera siç është Kalaja, Hamami apo monumentet tjera trashëgimore në Vushtrri, sipas sllavëve, Ura e Vjetër e Gurit është pronë serbe. Është Urë e Vonjoviqve. Mirëpo një shkrim i tillë, dihet se serbët kanë qenë falsifaktor të dokumentaciove që dhe ai shkrim i tyre nuk qëndron. Dhe kjo nuk ka qenë urë e sllavëve”, tha ciceron Mehmeti.

Mbi urën të cilën ishte vënë zhavor nga rivitalizimi i fundit, qëndrojnë shumë mite. Njëri është se kinse takimi i parë i Azem e Shote Galicës kishte ndodhur aty. Bashkë me këtë gojdhënë dhe me statikën e fortë të gurëve, shumë çifte zgjedhin të fejohen mbi urë për të mbajtur lidhjen e fortë./Ndertimi.info