Ura e Badovcit u lëshua në qarkullim pa u testuar, Prokuroria intervistoi pronarin e kompanisë
Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e hetuar rastin e lëshimit të qarkullimit mbi urën e Badovcit, pa e testuar fare për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e saj. Ura e Badovcit ishte lëshuar në qarkullim pas një vit punimesh në 31 dhjetor të vitit 2024, megjithatë testimi final për lejen e qarkullimit nuk ishte kryer, transmeton…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e hetuar rastin e lëshimit të qarkullimit mbi urën e Badovcit, pa e testuar fare për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e saj.
Ura e Badovcit ishte lëshuar në qarkullim pas një vit punimesh në 31 dhjetor të vitit 2024, megjithatë testimi final për lejen e qarkullimit nuk ishte kryer, transmeton lajmi.net.
Lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet dhe ka intervistuar një person.
Në një përgjigje nga Prokuroria dhënë për lajmi.net u bë e ditur se për i intervistuar në lidhje me këtë çështje është pronari i kompanisë “Dreni Ingeniering”.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju informojmë se Prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim organeve policore në lidhje me rastin e urës së Badovcit, po ashtu Prokurori i çështjes ka autorizuar policinë që në ndërmarrjen e veprimeve hetimore të intervistohet si i dyshuar pronari i kompanisë (Dreni Inginiering)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për lajmi.net.
Dje edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin se një person është intervistuar një i dyshuar, teksa rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
“Badovc, Magjistralja Prishtinë-Gjilan / 31.12.2024 – 10:00. Policia e Kosovës pas pranimit të autorizimit nga gjykata dhe pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka konfirmuar se një urë është lëshuar për qarkullim pa përfunduar testimi final. Në koordinim me prokurorin është intervistuar një i dyshuar mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.
E ishte pikërisht zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi i cili ditë më pari pati konfirmuar se ura u lëshua në qarkullim pa u testuar, teksa shtonte se ajo ishte stabile pavarësisht se nuk ishte vërtetuar nga testimi.
Ai kishte deklaruar e “siguruar” qytetarët pa kurrfarë kredibiliteti se kjo urë është ndërtuar me standardet më të larta dhe se janë testuar materialet gjatë të gjitha fazave.
“Ura e Badocit ështe projektuar e ndertuar me standardet më te larta të projektimit e ndertimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale, përfshirë ketu atestet parakrake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj. Prandaj me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre diteve aty kan kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër”, kishte shkruar Durmishi në llogarinë e tij në Facebook, më 8 janar.
Të nesërmen, kjo urë ishte mbyllur për qarkullim për t’u testuar.
Ura e Badovcit, veç 38 metra ua pati zgjatur “veshët” gjithë atyre që iu duhej të qarkullonin nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas.
Për shkak të punimeve të tejzgjatura qytetarët detyroheshin të kalonin nëpër rrugën opsionale që ishte hapur afër, e ku mungonin sinjalistikat e që padyshim ishte mjaftë e gjatë për t’u bërë çdo ditë duke pasur afër urën.
Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024.
Vlera e kësaj kontrate të nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro./Lajmi.net/