Ukraina thotë se pajtohet me propozimin e SHBA-së për “armëpushim të menjëhershëm”
Ukraina tha se është pajtuar me propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar pas bisedimeve mes delegacionit amerikan dhe ukrainas në Xhedah të Arabisë Saudite më 11 mars. “Ukraina ka shprehur gatishmërinë që të pranojë propozimin e SHBA-së për të zbatuar menjëherë…

Bota
Ukraina tha se është pajtuar me propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar pas bisedimeve mes delegacionit amerikan dhe ukrainas në Xhedah të Arabisë Saudite më 11 mars.
“Ukraina ka shprehur gatishmërinë që të pranojë propozimin e SHBA-së për të zbatuar menjëherë një armëpushim të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, me kusht që të pranohet dhe të zbatohet njëkohësisht nga Federata Ruse. Shtetet e Bashkuara do t’i përcjellin Rusisë se reciprociteti nga ana e saj është çelësi për arritjen e paqes”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Presidenca ukrainase.
Zyrtarë të lartë ukrainas dhe amerikanë po diskutojnë për përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës në Arabinë Saudite, teksa Kievi po synon që të përmirësojë raportet me Uashingtonin dhe rinisjen e dërgesave me armë amerikane dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
Bisedimet po zhvillohen teksa është raportuar se të paktën tre persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve masive me dronë në 10 rajone të Rusisë.
Mbrojtja ajrore ruse ka thënë se i ka rrëzuar 337 dronë ukrainas përgjatë natës.
Shefi i stafit në presidencën ukrainase, Andriy Yermak, udhëheqës i delegacionit ukrainas, tha se bisedimet janë “punë në progres” gjatë një pauze pas më shumë se katër orë diskutimesh. Këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Mike Waltz, tha se “po bëjmë përparim” kur u pyet nga gazetarët se si po shkonin diskutimet.
Bisedimet rinisën pas një pauze.
Në nisje të takimit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio është parë i buzëqeshur para mediave, por jo edhe zyrtarët ukrainas që janë ulur në anën tjetër të tavolinës, për të nisur takimin që po zhvillohet në një hotel luksoz.
Sekretari Rubio, i cili është duke udhëhequr delegacionin amerikan, ka thënë se bisedimet do të fokusohen rreth asaj se çfarë do të jetë në gjendje të pranojë Ukraina në tekstin e marrëveshjes, dhe që ky shtet duhet të bëjë koncesione për territorin që veçse e ka pushtuar Rusia.
“Gjëja më e rëndësishme është që duhet të largohemi nga këtu me ndjesinë që Ukraina është e përgatitur për të bërë gjëra të vështira, ashtu sikurse rusët, që duhet të bëjnë punë të vështirë për t’i dhënë fund konfliktit, apo për ta pauzuar për një kohë, në ndonjë formë dhe mënyrë”, u ka thënë Rubio gazetarëve më 10 mars, në rrugë për në Xhedah.
Udhëheqësi i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “mbrojtja e interesave ukrainase” dhe një “vizion i qartë për dhënie fund të luftës” janë në agjendën e Kievit për bisedimet njëditore.
“Një armëpushim për luftën trevjeçare të Federatës Ruse në shtetin tim, nuk është dukur kurrë më afër”, ka thënë Yermak në një kolumnë të publikuar në të përditshmen Guardian, në ditën e takimit.
“Armëpushimi në Ukrainë nuk do të ndodhë vetëm përmes përpjekjeve diplomatike”, ka thënë ai.
“Këtu përfshihet rritja e presionit politik dhe financiar ndaj Rusisë, për të rritur koston në rast të rikthimit të konfliktit”.
Oleksandr Merezhko, udhëheqës i Komitetit parlamentar ukrainas për Punë të Jashtme, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se takimi duhet të shihet si “hap i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve në mes të administratës së re Trump dhe Ukrainës”, dhe një “takimi direkt” mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
“Pres që do të dëgjojmë prej miqve amerikanë nëse Trump ka ndonjë strategji sa i përket Ukrainës, rreth përfundimit të agresionit rus”, ka thënë ai.
“Sepse, deklaratat e fundit të presidentit Trump ngrenë shumë pyetje”.
Mbetet të shihet nëse Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të rikthyer ndihmën dhe bashkëpunimin në fushën e inteligjencës me ukrainasit.
Para takimit, Trump ka thënë se administrata e tij e ka pezulluar shpërndarjen e inteligjencës me Ukrainën.
John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, ka thënë se rikthimi i bashkëpunimit në fushën e inteligjencës do të shihej si rezultat pozitiv për Kievin.
“Nëse hiqet masa pas bisedimeve, kjo do të jetë gjë e mirë”, ka thënë Herbst për Radion Evropa e Lirë.
“Nëse nuk hiqet, kjo është shenjë që do të vazhdojë politika e Trumpit me presion ndaj Ukrainës”.
Përtej këtyre synimeve të mëdha, më shumë hollësi për takimin nuk janë bërë publike.
Rubio ka refuzuar që të deklarojë se si mund të duket një marrëveshje përfundimtare, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë hollësi nëse në Xhedah do të diskutohet për nënshkrim të marrëveshjes për minerale, apo për çështje të inteligjencës.
“Mënyra e vetme si përfundon kjo luftë është nëse Rusia dhe Ukraina ulen në tavolinën negociuese dhe të dyja marrin vendime të vështira”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Pjesëmarrja në negociata do të jetë e dukshme nëse të dyja palët janë serioze për paqe”.
Këto bisedime reflektojnë përpjekje të reja diplomatike për përfundim të luftës, pas një diskutimi të ashpër dhe të pashembullt mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenky me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Zyrtarët ukrainas u kanë thënë mediave të hënën se do të propozojnë armëpushim që mbulon Detin e Zi, që do të siguronte lëvizje të sigurt të anijeve, do të ndalonte përdorimin e raketave me rreze të gjatë, të cilat kanë goditur civilët në Ukrainë, si dhe për lirimin e të burgosurve. REL