Ukraina çliron qytetin e okupuar nga pro-rusët

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko tha se suksesi i ushtrisë së vendit të tij, që i ka dëbuar kryengritësit pro-rusë nga baza e tyre në qytetin Slloviansk, paraqet “pikë kthese” në luftën kundër kryengritësve.

Bota

06/07/2014 11:56

Poroshenko mbrëmë vonë ka theksuar se rimarrja e Sllovianskit dhe e qyteteve të tjera të afërta, në pjesën lindore të Ukrainës, nuk “është fitore e plotë” dhe se operacioni ushtarak për “çlirimin e rajoneve Donjeck dhe Luhansk do të vazhdojë”.

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk i ka urdhëruar zyrtarët qeveritarë që ta ripërtërijnë punën e policisë, të sistemit të drejtësisë, të mjekësisë dhe të agjencive higjienike sa më parë të jetë e mundur.

Këto komente u bënë pak kohë pasi forcat qeveritare të Ukrainës e ngritën flamurin kombëtar në Slloviansk, pasi i dëbuan nga aty kryengritësit pro-rusë jashtë këtij qyteti industrial.

Raportohet se kryengritësit pro-rusë janë larguar nga qyteti dhe rajonet e afërta dhe janë nisur në drejtim të kryeqytetit rajonal, Donjeck, transmeton REL.