Uji në liqenin e Batllavës i ndotur nga mbeturinat dhe ujërat e zeza

Liqeni i Batllavës edhe pse shfrytëzohet për ujë të pijshëm dhe po ashtu për frekuentimin e qytetarëve kryesisht gjatë sezonit verorë, ai është mjaftë i papastër.

Lajme

11/10/2015 10:34

Kjo ndotje vije si pasojë e mbeturinave të shumta që gjinden brenda dhe rreth saj ku janë të grumbulluar mbeturina të shumta, madje aty mund të shohësh se ka edhe një deponi të krijuar afër një kontejneri.

Por, përveç mbeturinave, këtë ujë e ndotin edhe hotelet dhe shtëpitë të cilat ndodhën pranë liqenit të Batllavës, të cilat i derdhin të gjitha ujërat e përpunuara në liqen,përmes gypave të kanalizimeve që i kanë vendosur vet aty.

Një gjë e tillë është e ditur edhe nga vet Komuna e cila thotë se në këtë liqen derdhen ujërat jo vetëm të shtëpive dhe hotelerive që ndodhen aty pranë, por edhe i gjithë fshati Orllan dhe fshatrat e tjera përreth tij, të cilët nuk e kanë të rregulluar sistemin e kanalizimit.

Zëdhënësi i kësaj komune, Nazmi Elezi, ka thënë për KosovaPress, se komuna e Podujevës është e vetëdijshme për këtë gjë, por, se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të krijuar një sistem të tillë të kanalizimit, për këtë arsye ata nuk kanë çfarë të bëjnë.

Sipas tij, ata kanë kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës, duke shtuar se kanë marrë premtime prej tyre që do të bëhet një realizim i tillë, edhe pse nuk dihet se kur.

“Komuna është e vetëdijshme se në liqenin e Batllavës derdhen ujëra të zeza, sepse fshati Orllan dhe disa fshatra përreth nuk e kanë të rregulluar sistemin e kanalizimit. Mirëpo, rrjeti i kanalizimit për këto fshatra është një projekt shumë i kushtueshëm, të cilën Komuna e Podujevës buxhetin çfarë e ka nuk mund ta përballoj. Ai konsiderohet se kushton diku mbi 1 milion euro, mirëpo ne kemi marrë premtime edhe nga Qeveria se ata do të merren me këtë çështje dhe do të realizohet me ndihmën e tyre. besojmë se së shpejti edhe fshati Orllan edhe objekti përreth liqenit do të kyçen në rrjetin e kanalizimit, i cili do të jetë edhe për fshatrat tjerë përreth”, tha Elezi.

Shefja e sektorit të ujit, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Burbuqe Nushi-Latifi, siguron qytetarët të cilët furnizohen me ujë të pijshëm nga ky liqen, se ai ujë është brenda standardeve të parapara dhe se analizat e këtij uji bëhen çdo ditë.

Mirëpo, sipas saj, për shkak të ndotjeve të shumta, ekziston mundësia e kontaminimit të ujit dhe për këtë arsye ata zakonisht kanë probleme ku ka shira të mëdha ose kur ka rritje rapide të liqenit.

“Për vet faktin se liqeni i Batllavës është resurs për ujin e pijshëm,ai përpunohet në fabrikën në Shajkovc dhe pastaj ju serohet qytetarëve si ujë i pijshëm. Nëse i referohemi analizave që instituti i bënë në bazë ditore nga zona e furnizimit të liqenit të Batllavës, ku i referohemi 3/4 të qytetit të Prishtinës, komunës së Podujevës dhe fshatrave përreth, analizat japi n të dhënat se ky ujë është brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativë që është në fuqi. Do të thotë është brenda standardeve dhe qytetarët pinë ujë të sigurt. Mirëpo kur analizohet resursi i ujit siç është rasti te liqeni i Batllavës atëherë gjithmonë ekziston mundësia e rrezikut të kontaminimit, mundësisë të ndotjes së këtij uji që është burim për ujë të pijshëm, për vet faktin se rreth liqenit të Batllavës ka një mori institucione hoteliere të cilat komplet ujërat e zeza, të ndotura i hedhin në liqen”, tha Nushi-Latifi.

Edhe ajo tha se zgjidhja e vetme, apo rekomandimi kryesorë është të bëhet sistemi i rrjetit të kanalizimit të fshatrave përreth liqenit të Batllavës.

KosovaPress ka tentuar të flas edhe me Qeverinë Kosovës, për të mësuar nëse një projekt i tillë është i gatshëm të bëhet, mirëpo, një gjë e tillë nuk ka qenë e mundshme.

Kështu që, deri sa Qeveria të merr ndonjë hap në këtë drejtim, këto fshatra do vazhdojnë të derdhin ujërat e zeza në ujin e liqenit të Batllavës.

E sa i përket mbeturinave të shumta, Elezi thotë se ata gjatë sezonit të verës kanë dy punëtorë sezonal të cilët kujdesën që t’i largojnë mbeturinat përreth këtij liqeni. Ndërsa, kompania e cila ka qenë e kontraktuar tani më i është ndërprerë kontrata dhe ata kryejnë vetëm bartjen e grumbujve të bërllokut.

“Sa i përket pastërtisë në hapësirat përreth liqenit të Batllavës, Komuna e Podujevës vitin e kaluar ka bërë një kontratë në bazë të një vendimit të Kuvendit komunal me kompaninë e pastrimit për mirëmbajtjen e hapësirave përreth liqenit,dhe ajo kontratë ka skaduar në fund të korrikut, ndërsa nga fillimi i gushtit të këtij viti komuna ka angazhuar dy punëtor ë sezonal për mirëmbajtje të këtyre hapësirave dhe mendojmë se ata dy punëtorët janë duke e kryer punën e tyre. Në të njëjtën kohë kompania “Pastrimi” vazhdon të jetë përgjegjëse për bartjen e mbeturinave të grumbulluar nëpër kontejner dhe në vendet e caktuara. Do të thotë komuna aktualisht ka marrë përgjegjësi dhe përsipër që t’i grumbulloj mbeturinat që i hedhin qytetarët”, ka shtuar Elezi.

Mirëpo, në anën tjetër, siç duket këta punëtorë nuk po e kryejnë siç duhet punën e tyre, për shkak se në këtë liqen mund të shohësh gjithandej papastërti.

Përveç tyre, brenda liqenit të Batllavës janë të vendosur edhe disa motor, të cilët shpërbejnë për nxjerrjen e ujit nga shtëpitë dhe hoteleritë, të cilat po të jenë elektrik mund të rrezikojnë jetën e atyre që futen brenda në ujë.

Për këtë çështje, komuna e Podujevës, nuk është shumë në dijeni, duke thënë vetëm se qytetarët atje nuk e kanë të ndaluar të marrin ujë në këtë mënyrë nga ky liqen. Sipas tyre, të ndalur e kanë vetëm keqpërdorimin e ujit të pijshëm pas përpunimit.

Ndërsa, KosovaPress për këtë çështje ka kontaktuar edhe me Departamentin për Siguri në Ministrinë e Punëve të Brendshme,mirëpo përmes një emaili kanë thënë se ata nuk kanë ndërmarr asnjë aktivitet sepse, sipas tyre, ky shqetësim nuk është ngritur asnjëherë nga qytetaret në forumet e sigurisë. Sipas tyre, në momentin që ngritët ky shqetësim, ata do shikojnë mundësinë e angazhimit na bashkëveprim me institucionet tjera te cilat menaxhojnë ujerat dhe liqenet.

kanalizimi-batllav-2-111015