Udhëtimi në Lindjen e Mesme: Trump lë Netanyahun jashtë loje, shqetësime në Izrael

Në vitin 2009, presidenti amerikan Barac Obama, zhvilloi një takim me mbretin e Arabisë Saudite, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet me vendet arabe. Por ajo që binte në sy atëkohë, ishte mungesa e Izraelit në agjendën e atij turneu diplomatik, gjë që vendi e mori si ofendim. Dhe ishte ky veprim që…

Bota

12/05/2025 17:38

Në vitin 2009, presidenti amerikan Barac Obama, zhvilloi një takim me mbretin e Arabisë Saudite, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet me vendet arabe. Por ajo që binte në sy atëkohë, ishte mungesa e Izraelit në agjendën e atij turneu diplomatik, gjë që vendi e mori si ofendim. Dhe ishte ky veprim që shënoi nismën e një marrëdhënieje të ftohtë dhe tensionuar mes Obamës dhe Netanyahut.

E tani, ndërsa presidenti i tanishëm Donald Trump po përgatitet për vizitën e tij të parë në rajon në mandatin e dytë, duket se historia po përsëritet. Në agjendën e Trumpit përfshihen Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por jo edhe Izraeli.

Ky udhëtim është cilësuar nga Shtëpia e Bardhë si një “rikthim historik në Lindjen e Mesme”, duke premtuar një “vizion të përbashkët për stabilitet, mundësi dhe respekt të ndërsjellë”. Por sërish, Izraeli mungon në itinerar.

Dhe sipas CNN, pas disa surprizave që Trump i ka rezervuar tashmë Izraelit – përfshirë njoftimin për bisedime me Iranin, marrëveshjen me rebelët Houthi në Jemen dhe kontaktet direkte me Hamasin – zyrtarët izraelitë janë të shqetësuar për mundësinë e një surprize të re.

‘Pa rezultate, nuk vjen’

Sipas një burimi të njohur me çështje, CNN shkruan se, zyrtarë izraelitë kanë tentuar të kuptojnë nëse ishte e mundur një ndalesë në Jerusalem apo Tel Aviv gjatë udhëtimit të Trump, megjithatë presidenti kishte hedhur poshtë këto shpresa javën e kaluar, duke deklaruar se nuk kishte plane për të vizituar Izraelin.

“Do ta bëjmë në një moment tjetër. Por jo në këtë udhëtim,” ishte shprehur Trump.

Më tej, burimi i CNN, ka shtuar se Trump mund të ishte bindur të përfshinte Izraelin në itinerar nëse do të kishte mundësi të shpallte ndonjë arritje – qoftë një armëpushim në Gaza, një plan ndihmash humanitare apo diçka tjetër. Por me Izraelin që po përgatitet të zgjerojë ofensivën në Gaza, nuk ka ndonjë fitore të dukshme në horizont. E edhe pse pritet lirimi i pengut Edan Alexander të hënën, shanset për një armëpushim të plotë mbeten të largëta.

“Pa rezultate, nuk vjen (në Izrael),” ka thënë burimi, raporton CNN.

Kujtojmë se, Netanyahu ishte krenar që ishte lideri i parë botëror që vizitoi Trumpin në mandatin e tij të dytë, në shkurt. Ndërsa në vizitën e tij të dytë, në prill, ai u bë i pari që tentoi të hapte negociata për një marrëveshje të re tregtare, pas shpalljes së tarifave të reja të Trump për importet. Megjithatë, edhe atëherë kryeministri izraelit u largua nga Shtëpia e Bardhë pa një marrëveshje dhe me një shqetësim të ri: shpalljen e papritur të Trump se ShBA do të riniste bisedimet për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin.

Ndërkohë, sipas një ish-diplomati izraelit Alon Pinkas, problemi qëndron se, Netanyahu ka shumë pak ndikim tani në Uashington, pasi nuk ka se çfarë të japë.

“Nuk ka asgjë që Netanyahu mund t’i ofrojë Trumpit – asgjë që ai dëshiron, ka nevojë apo që Izraeli mund t’i japë – ndryshe nga sauditët, katariotët apo emiratasit,” është shprehur Pinkas për CNN.

Rikujtojmë se vendet e pasura arabe kanë premtuar triliona dollarë në investime në ShBA dhe mund të shpallin blerje të mëdha armësh – fitore që Trump mund t’i paraqesë si suksese për industrinë amerikane.