Udhëheqësit e MUP’it s’e kalojnë testin e AKI’së
Bashkim Smakaj raportoi para Komisionit Parlamentar të Intelegjencës për dy çështje të rëndësishme, pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë dhe procesi i verifikimit të pjesëtarëve të MUP’it që do të inkuadrohen në Policinë e Kosovës.
Lajme
Drejtori i Agjencionit kosovar të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Kryetari i këtij Komisioni, deputeti Florin Krasniqi tha se Drejtori Smakaj ka raportuar para tyre për dy çështje të rëndësishme, pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë dhe procesi i verifikimit të pjesëtarëve të MUP’it që do të inkuadrohen në Policinë e Kosovës.
Vetë Bashkim Smakaj nuk foli pas takimit.
Kryetari i Komisionit Parlametnar, Florin Krasniqi tha se Smakaj e ka njoftuar Komisionin se është duke u bërë verifikimi i pjesëtarëve të MUP-it serb, ku pjesa dërmuese e strukturave komanduese apo udhëheqëse të nivelit të lartë, kanë rënë në test, duke bërë kështu mos-kalimin e verifikimit.
Po ashtu, sipas tij, Smakaj ka raportuar edhe për çështjen e Sirisë, ku konfirmohet se është shqetësues numri i kosovarëve të cilët po shkojnë atje për të luftuar.
Por, AKI-ja, nëpërmjet drejtorit të saj, sipas Krasniqit, është zotuar se i ka nën kontroll dhe i di lëvizjet e të gjithë këtyre personave.