“UÇK-ja nuk kishte një strukturë të qartë komanduese” | Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, dëshmon në Hagë për luftën dhe rolin e Hashim Thaçit

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, gjenerali amerikan Wesley Clark, pritet të paraqitet për dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë më 18 ose 19 nëntor, në kuadër të procesit gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë 11 faqëshe të zhvilluar më herët në prani të zyrtarëve të…

Lajme

28/10/2025 19:20

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, gjenerali amerikan Wesley Clark, pritet të paraqitet për dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë më 18 ose 19 nëntor, në kuadër të procesit gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë 11 faqëshe të zhvilluar më herët në prani të zyrtarëve të Pentagonit dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit, Clark kishte ndarë vlerësime të rëndësishme për rolin e UÇK-së gjatë dhe pas luftës, intervistë që tani do të përdoret si provë dhe do të zgjerohet gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, raporton voxkosova, transmeton lajmi.net.

Sipas dokumenteve të mbrojtjes, Clark do të ndalet në fushatën 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, e cila, sipas tij, çoi në përfundimin e agresionit të Serbisë dhe çlirimin e Kosovës. Ai gjithashtu do të shpjegojë rolin e aleancës në zbatimin e marrëveshjes Holbrooke–Millosheviq të tetorit 1998, si dhe bashkëpunimin me faktorin politik shqiptar.

Në dëshminë e tij, Clark pritet të paraqesë vëzhgimet e tij personale për organizimin e UÇK-së dhe bashkëpunimin që kishte me Hashim Thaçin dhe delegacionin e Kosovës gjatë bisedimeve të Rambujesë. Ai thekson se në atë kohë UÇK-ja nuk kishte një strukturë të qartë komanduese dhe se Thaçi ishte një përfaqësues politik pa eksperiencë ushtarake, ndaj “ishte e padrejtë që gabimet e individëve të tjerë t’i atribuoheshin atij”.

Gjenerali amerikan gjithashtu ka mohuar se drejtuesit e UÇK-së kishin ndonjë rol në sulmet ndaj civilëve serbë apo pakicave të tjera etnike pas përfundimit të luftës në verën e vitit 1999.

Clark është dëshmitari i pestë i mbrojtjes në këtë proces. Para tij kanë dëshmuar ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe ndërkombëtarë, përfshirë James Rubin, Paul Williams, John Duncan dhe Jock Covey, i cili ka qenë zëvendëskryeadministrator i Kosovës gjatë viteve 1999–2001./lajmi.net/