U takuan paparalajmëruar mbrëmë – Kurti dhe Abdixhiku sërish pa marrëveshje për Presidentin

S’ka “lajme” as pas një takimi të ri mes LVV-së dhe LDK-së, tha Albin Kurti pas një takimi të paparalajmëruar të zhvilluar mbrëmë me Lumir Abdixhikun. Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku nuk arritën ndonjë pajtim për emrin e Presidentit apo Presidentes së re, as pas një takimi të radhës, të paparalajmëruar mbrëmë. Pasi të mërkurën…

Lajme

30/08/2026 08:21

S’ka “lajme” as pas një takimi të ri mes LVV-së dhe LDK-së, tha Albin Kurti pas një takimi të paparalajmëruar të zhvilluar mbrëmë me Lumir Abdixhikun.

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku nuk arritën ndonjë pajtim për emrin e Presidentit apo Presidentes së re, as pas një takimi të radhës, të paparalajmëruar mbrëmë.

Pasi të mërkurën thanë se kishin bërë “një hap përpara” drejt zgjedhjes së Presidentit, të dy liderët u ulën sërish përballë njëri-tjetrit mbrëmë rreth orës 20:00 në Kuvend.

Për bisedimet të cilat të mërkurën u përshkruan si “shumë të vështira” dhe “jo të lehta” nga të dyja palët, mbrëmë nuk u tha shumë para gazetarëve

”Kur të ketë rezultate, do të ketë lajme për ju”, iu tha Kurti shkurtimisht gazetarëve mbrëmë, pasi doli nga takimi me Abdixhikun.

Diskutimi i së mërkurës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit, u konsiderua “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.

Kurti dhe Abdixhiku mbrëmë zhvilluan takimin e tretë prej kur LDK-ja më 13 gusht hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.