U raportua që ndeshja Arbëri – Vushtrri nisi me vonesë shkaku që ekipi vendas ishin në xhami – reagon FFK

Para pak orëve, është raportuar që ndeshja mes Arbërisë dhe Vushtrrisë ka nisur me vonesë për arsye se ekipi vendas ka qenë në xhami.

Sport

04/03/2022 15:33

Por, këtë gjë e ka demantuar Federata e Futbollit të Kosovës përmes një komunikate zyrtare, shkruan lajmi.net.

Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

“Plasimi i të pavërtetave në disa portale tashmë është bërë po thuajse një gjë e zakonshme, veçmas kur është në pyetje Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli kosovar në përgjithësi. Sot në disa portale të njohura për postime të artikujve sa për të nxitur klikime është postuar lajmi se ndeshja e Ligës së Parë ndërmjet Arbërisë dhe Vushtrrisë është shtyrë për shkak se futbollistët e Arbërisë dhe trajneri i tyre kanë qenë në  xhami. Ky është një tjetër mashtrim që i është bërë opinionit, ngase ndeshja në fjalë ka filluar me vonesë për shkak të mungesës së zyrtarëve policor, e jo siç raportuan me nxitim disa portale e pa marrë fare mundin për të marrë informatën zyrtare për vonesën e takimit. Futbollistët e Arbërisë ashtu sikurse ata të Vushtrrisë kanë qenë me kohë në fushën e gjelbër të stadiumit “Sami Kelmendi” në Lipjan dhe me të arritur patrulla e policisë së Kosovës, ashtu siç parashihet në rregulloret e garave, ka nisur ndeshja”, shkroi FFK.

Ndërkohë, ata edhe shtuan një foto të bërë të lojtarëve të Arbërisë duke bërë parapërgatitjet para se të nis ndeshja./Lajmi.net