U plagos rëndë gjatë operacionit për arrestimin e Maduros, Trump nderon pilotin

Presidenti e përshkroi me tone dramatike operacionin gjatë të cilit Slover drejtoi një helikopter Chinook dhe iu afrua gjatë natës kompleksit ushtarak ku ndodhej Maduro. “Eriku e drejtoi helikopterin në errësirë dhe zbriti me shpejtësi në fortesën e ruajtur rreptësisht të Maduros”, deklaroi ai. Sipas Trump, oficeri u plagos rëndë gjatë misionit. “U godit shumë keq…

Bota

25/02/2026 08:51

Presidenti e përshkroi me tone dramatike operacionin gjatë të cilit Slover drejtoi një helikopter Chinook dhe iu afrua gjatë natës kompleksit ushtarak ku ndodhej Maduro.

“Eriku e drejtoi helikopterin në errësirë dhe zbriti me shpejtësi në fortesën e ruajtur rreptësisht të Maduros”, deklaroi ai.

Sipas Trump, oficeri u plagos rëndë gjatë misionit. “U godit shumë keq në këmbë dhe në ijë nga disa plumba. Mori katër të shtëna të dhimbshme që ia copëtuan këmbën në disa pjesë”, tha presidenti, duke theksuar se Slover vazhdon të jetë në proces rikuperimi.

Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se dhjetë ushtarakë që morën pjesë në të njëjtin operacion do të nderohen në një ceremoni private që do të zhvillohet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë. “Dhjetë nga shokët e Erikut nga ajo natë fitoreje do të marrin gjithashtu medalje në një ceremoni private që do të mbahet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh ai.

Vëmendje të veçantë tërhoqi prania e Alejandra González, të cilën Trump e prezantoi si pjesë të një familjeje të lidhur ngushtë nga Venezuela. Presidenti foli për lidhjen e saj të fortë me xhaxhain e saj, Enrique Márquez, politikan i opozitës në vendin e tij.

Siç tha ai, kur Márquez kandidoi dhe doli kundër Maduros, “u rrëmbye nga forcat e sigurisë së regjimit dhe u hodh në burgun famëkeq të regjimit në Karakas”. Sipas Trump, González kishte frikë se nuk do ta shihte më kurrë dhe se jeta që njihte kishte marrë fund përgjithmonë.

Trump theksoi se, pas zhvillimeve të fundit politike, zyrtarë amerikanë bashkëpunuan me udhëheqjen e re të Venezuelës, e cila urdhëroi mbylljen e atij burgu dhe lirimin e qindra të burgosurve politikë, ndërsa priten edhe lirime të tjera.

“Alejandra, kam kënaqësinë të të njoftoj se jo vetëm që xhaxhai yt është liruar, por ai ndodhet këtu sonte”, deklaroi Trump. Pak sekonda më vonë, Márquez hyri në sallë dhe përqafoi mbesën e tij të emocionuar, ndërsa të pranishmit u ngritën në këmbë dhe shpërthyen në duartrokitje. “Ricky, të uroj gjithë të mirat. Jemi të lumtur që të kemi sërish mes nesh, Enrique”, shtoi presidenti.