U krenuan se sollën siguri në vend, sot Bahtiri thotë se mungojnë fabrikat e investimet kapitale për shkak të pasigurisë – Shpresën e ka te Xhandarmëria
Kandidati për deputet i VV-së, Agim Bahtiri ka shkruar në lidhje me vendimin që ka nënshkruar sot ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal sveçla, për themelimin e Xhandarmërisë. Sipas tij, ky është vendim historik, ndërkaq ka arsyetuar mungesën e fabrikave dhe investimeve kapitale me për shkak se vendi është i pasigurtë ndërsa Xhandarmëria…
Lajme
Kandidati për deputet i VV-së, Agim Bahtiri ka shkruar në lidhje me vendimin që ka nënshkruar sot ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal sveçla, për themelimin e Xhandarmërisë.
Sipas tij, ky është vendim historik, ndërkaq ka arsyetuar mungesën e fabrikave dhe investimeve kapitale me për shkak se vendi është i pasigurtë ndërsa Xhandarmëria do të ndihmoj në këtë.
“E kuptoj dhe e ndiej peshën e shqetësimit të çdo qytetari që kërkon më shumë vende pune, fabrika e investime kapitale. Por, si njeri që e njeh mirë këtë rrugëtim, duhet ta themi një të vërtetë të madhe: Asnjë investitor serioz, as nga vendi e as nga bota, nuk sjell kapitalin e tij në një vend ku nuk ka stabilitet, në një shtet ku kufijtë lëkunden dhe ku siguria fizike kërcënohet çdo ditë. Parakushti i parë për ekonomi dhe fabrika është një shtet i fortë, i sigurt dhe me sundim të plotë të ligjit”, ka shkruar Bahtiri.
Ai ka thënë se në fillim të qeverisjes së tyre kanë trashëguar një situatë të tmerrshme, që sipas tij veriu i vendit iu ishte lënë në dorë bandave kriminale dhe strukturave paralele të Serbisë.
“Si ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, unë jam ballafaquar vetë me atë egërsi në terren. Kam dhënë maksimumin tim, me mish e me shpirt, që Veriu të mbetej Kosovë. Prandaj, sot jam ballëlartë dhe jashtëzakonisht krenar që kam ngulur këmbë dhe NUK KAM NËNSHKRUAR ASNJËHERË asnjë dokument në dëm të vendit tim, edhe përkundër presioneve të jashtëzakonshme që më bëheshin, si në Prishtinë, ashtu edhe në Bruksel. Unë nuk u përkula atëherë, dhe Kosova nuk po përkulet as sot! Pasi u desh të përqendroheshim me më shumë se 100% të energjisë sonë për të riparuar ato dëme të dikurshme thuajse të pariparueshme, sot po shohim frytet e këtij rrugëtimi të dinjitetit. Pikërisht sot, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar vendimin historik për fillimin e procesit të themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës! Ky është mesazhi i prerë se veriu dhe kufijtë tanë janë të blinduar dhe të paprekshëm përgjithmonë”, ka thënë ai.
Ai ka konsideruar se sovraniteti në veri është tani i panegociueshëm dhe siguria është e garantuar ndërsa po krijohen kushte reale për investime të mëdha që sjellin vende pune dhe zhvillim afatgjatë.
“Për qeverisjet e kaluara, buxheti i shtetit shkonte në tenderë korruptivë e në xhepa pushtetarësh. Me Qeverinë Kurti, paratë e shtetit po kthehen te populli dhe po ndërtohet baza e një shteti të zhvilluar. Plagët dhe shkatërrimet 20-vjeçare nuk mund të zhbëhen brenda natës, por ne kemi dëshmuar se nuk zmbrapsemi para asnjë sfide e para asnjë presioni. Ashtu siç diti Mitrovica t’u rezistojë ndarjeve dhe planeve të rrezikshme, ashtu do të dijë sot e gjithë Kosova të ndërtojë një ekonomi të fuqishme, ku të rinjtë tanë shohin perspektivë dhe të ardhme këtu. Më 7 qershor, vullneti juaj do të përcaktojë fatin e Republikës. Kjo nuk është thjesht votë për një parti, është vijë ndarëse midis një Kosove krenare e sovrane që po zhvillohet, dhe asaj të kaluares që donte ta copëtonte e ta gjunjëzonte shtetin tonë, me një vijë ndarëse në mes të Lumit Ibër!”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/