Turqia nuk e sulmon e vetme ISIL-in

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, ka deklaruar të enjten se nuk është realiste që Aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të pres që Turqia të kryej e vetme një operacion tokësor kundër militantëve të “Shtetit Islamik” në Siri, në qytetin kurd Kobani, i cili ndodhet vetëm 200 metra larg kufirit.

Bota

09/10/2014 16:35

Çavusoglu i bëri këto komente në një konferencë për media në Ankara, pas takimit me shefin e ri të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili u interesua për ndihmën që Ankaraja mund t’ua ofrojë luftëtarëve kurdë që po përpiqen të mbrojnë qytetin e tyre të mos bie në duar e militantëve të organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit” (ISIL).   

Por në kohën kur është shtuar presioni ndaj Qeverisë së Turqisë që të parandalojë rënien e qytetit Kobani në duart e militantëve të “Shtetit Islamik”, shefi i diplomacisë turke kërkoi që përpara se të ndërmerren masat nga Ankaraja, të krijohet një zonë e ndalimit të fluturimeve mbi kufirin e saj me Sirinë.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar se “Shteti Islamik” ka në dorë tashmë një të tretën e qytetit, por se hovi i tyre është ndalur paksa nga luftëtarët kurdë që ndodhen të stacionuar në qendër të qytetit, Ushtrisë së Lirë Siriane që ka filluar t’i sulmojë militantët e ISIL-it nga mbrapa, si dhe sulmeve ajrore amerikane që po vazhdojnë edhe sot mbi caqet e terroristëve.

Gjatë tri javëve të fundit nga Kobani kanë kaluar në territorin turk rreth 160 mijë kurdë, ndërsa zemërimi i refugjatëve dhe i kurdëve në Turqi, që janë diku rreth 18 milionë, është shtuar dukshëm.

Një ditë më parë, gjatë protestave të kurdëve në disa qytete të Turqisë, të organizuara në shenjë pakënaqësie me qëndrimin duarkryq të qeverisë turke, në përleshje me policinë janë vrarë 14 kurdë.