Turqia ia rrezikon liberalizimin e vizave Kosovës

Qytetarët e Kosovës nuk do të mundë të lëvizin pa viza në zonën Schengen, të paktën deri në fund të këtij viti.

Lajme

10/06/2016 09:10

Kjo shtyrje mund të jetë edhe më e gjatë, nëse dështon liberalizimi i vizave për shtetet me të cilat Kosova është pako, sidomos Turqia dhe Ukraina, për të cilat BE-ja ka shprehur skepticizëm, nga frika e një fluksi të madh qytetarësh drejt BE-së.

Burime të gazetës “Zëri” nga Brukseli kanë bërë të ditur se fati i Kosovës varet në masë të madhe nga Turqia.

“Kosova është në një pako me Turqinë dhe pezullimi i saj ndikon edhe te Kosova. Fatkeqësisht arsyeja që po përdoret nga vendet udhëheqëse të Bashkimit Evropian janë rreziku nga rritja e fluksit të qytetarëve”, ka thënë ky burim.

Mundësinë që të dështojë liberalizimi i vizave për Kosovën, në rast të dështimit të liberalizimit për Turqinë apo Ukrainën, e shohin edhe njohës të integrimeve evropiane.

Analistja Besa Shahini thotë se procesi i liberalizimit të vizave është shndërruar në proces politik. Sipas saj, Kosova është në grup me tri shtete tjera, dy prej të cilave problematike, si Turqia dhe Ukraina.

“Nëse dështon liberalizimi për njërën nga këto shtete, frikësohem se do të dështojë edhe për Kosovën. Edhe ashtu, disponimi për Kosovën në shtetet anëtare është shumë i keq. Nuk ka shumë mirëkuptim për nevojën për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës ngaqë shihen si rrezik migrimi”, ka thënë Shahini, duke shtuar se gjasat që këtë vit të liberalizohen vizat për Kosovën janë shumë të vogla./ lajmi.net.