Turqia i arreston 15 njerëz të dyshuar për lidhje me Mossadin e Izraelit

Një gjykatë turke mori vendim të premten për t’i arrestuar formalisht 15 njerëz dhe për t’i dëbuar tetë të tjerë, të dyshuar se kanë lidhje me shërbimin sekret të Izraelit, Mossad, si dhe për sulme ndaj palestinezëve që jetojnë në Turqi, raportoi transmetuesi shtetëror TRT Haber. Autoritetet turke i ndaluan 34 persona në fillim të…

Bota

06/01/2024 10:44

Një gjykatë turke mori vendim të premten për t’i arrestuar formalisht 15 njerëz dhe për t’i dëbuar tetë të tjerë, të dyshuar se kanë lidhje me shërbimin sekret të Izraelit, Mossad, si dhe për sulme ndaj palestinezëve që jetojnë në Turqi, raportoi transmetuesi shtetëror TRT Haber.

Autoritetet turke i ndaluan 34 persona në fillim të kësaj jave, pasi Ankaraja e paralajmëroi Izraelin për “pasoja të rënda” nëse përpiqet t’i ndjekë pjesëtarët e grupit militant, Hamas, që jetojnë jashtë territoreve palestineze, përfshirë në Turqi.

TRT Haber nuk tregoi se çfarë ka vendosur gjykata për 11 njerëzit e mbetur, të cilët ishin ndaluar më 2 janar.

Turqia, për dallim nga shumë aleatë perëndimorë dhe disa vende arabe, nuk e cilëson Hamasin organizatë terroriste.

Të dyshuarit u arrestuan gjatë bastisjeve në Stamboll dhe në shtatë provinca të tjera. Ata dyshohet se po planifikonin të kryenin aktivitete, përfshirë edhe “vëzhgim” dhe “ndjekje, sulm dhe rrëmbim” të shtetasve të huaj që jetojnë në Turqi.

Turqia e ka kritikuar ashpër Izraelin për bombardimin e Gazës në luftën e tij kundër Hamasit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur një sërë kritikash ndaj Izraelit, duke i përshkruar veprimet e këtij shteti në Gazë si “gjenocid”. Ai ka bërë thirrje që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të ndiqet penalisht për “krime lufte” dhe e ka krahasuar atë me liderin nazist, Adolf Hitler.

Erdogan, qeveria e të cilit në të kaluarën ka qenë nikoqire e disa zyrtarëve të Hamasit, po ashtu ka thënë se grupi radikal palestinez po lufton për çlirimin e tokave të tij dhe popullit të tij.