“Turp”, “Shko në hamom”, “Vet ke qenë kryeministër”, debat i ashpër Haradinaj-Konjufca në Kuvend
Një përplasje midis kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka ndodhur në fillim të seancës së sotme.

Lajme
Haradinaj ishte i ashpër me kritika ndaj mazhorancës pas protestës së sotme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Së pari është turp i madh që njerëz të zgjedhur të popullit si ky zotri Muja kanë mbërri në këtë shkallë të mashtrimit siç po e dëgjojmë sot. Është trup si me ia pru vetës, këtij populli, këtij parlamenti, me diskutu se a është në rregull me i nda veteranët kur e rrisim pagën minimale apo jo”, i tha Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj tha se është trup për kryetarin e Kuvendit Konjufca, e shumë deputetë të VV-së që të ndodh kjo.
“Është trup për ty Glauk Konjufca, djali i Sherif Konjufcës, është trup për Gani Krasniqin, Fatmir Humollin, Enver Dugollin e krejt qita tjert. Nuk keni me mujt me shku kësaj rruge, s’keni me mujt me e kalu këtë ligj se po doni me ba lojë, hajde dej ku po shkojmë. Hekne këtë ligj, Murati le ta hekë, mos luni me këto sene. Krejt marre duhet me iu ardhë pse e keni pru punën me u ba kjo bisedë. E gjetët me i nda ata. Po duhet me ua mundësu me punu pa e hupë pagën e veteranit, por jo me i poshtëru. A qishtu doni me vazhdu a? Nalnu sa nuk u ba më keq e nuk keni shku më thellë”, tha ai.
E Haradinajt nuk i pëlqeu replika e Konjufcës. Debati mes tyre u ashpërsua.
“Zotri Haradinaj ky është Kuvend edhe vet keni qenë kryeministër”, i tha Konjufca-Haradinajt.
“Shko bre në hamom, ti e këta e”, ia ktheu Haradinaj.
“Parlamenti i ka rregullat e veta”, i tha Konjufca.
“Çfarë Kuvendi është ky që i len veteranët te dera. Ti koke Kuvend?” i tha Haradinaj.
Seanca po vazhdon të mbahet me debate të ashpra e tone të larta. /Lajmi.net/