Tryezat politike pa fuqi vendimmarrëse
Tryezat e organizuara nga partitë politike për të diskutuar çështjet, të cilësuara si madhore, sipas njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë, nuk pritet të sjellin ndonjë rezultat. Sipas tyre, te partitë politike ka dallime dhe mospajtime të mëdha për tema të rëndësishme, andaj edhe parashihet se do të jetë vështirë të arrihen kompromise, qoftë për një platformë unike rreth bisedimeve me Serbinë, reformat zgjedhore apo edhe ndryshimet kushtetuese.
Lajme
Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se nëse partitë politike duan të merren vesh dhe të marrin vendime të rëndësishme, ekziston vendi, dhe ai vend, sipas tij është Kuvendi i Kosovës.
“Duket se partitë politike me këto tryeza në njëfarë forme sikur po shërojnë komplekset e tyre në kuptimin e shfaqjes edhe të një lloj fuqie e force që mund ta ketë ose do të duhej ta kishte secila nga to. Por, them se këto tryeza vetëm sa mund ta zvarrisin ndonjë çështje që do të mund të zgjidhej, por nuk shërbejnë fare për të zgjidhur çështje të caktuar”, tha Mushkolaj.
Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kishte organizuar tryezën e parë, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u ka dërguar tashmë ftesë krerëve të partive politike, për një tryezë diskutimi.
PDK-ja thotë se qëllim i këtij takimi është arritja e konsensusit politik për agjendën shtetërore të Republikës së Kosovës.
Valmir Ismaili analist nga organizata joqeveritare “Demokracia Plus”, tha për Radion Evropa e Lirë, se organizatorët e këtyre takimeve nuk e kanë të qartë se çfarë duan e ku duan të dalin nga këto tryeza diskutimesh.
Ai thekson se paraprakisht liderët e partive politike do të duhej të kishin arritur një konsensus për disa çështje, e më pas të takoheshin në këso lloj tryezash.
“Mënyra se si po realizohen këto takime, pa ndonjë agjendë të qartë, do të thotë ka në agjendë ndonjë pikë të caktuar dhe nuk diskutohet fare, ose secili flet atë që dëshiron, nuk mendoj se do të jenë produktive. Në mënyrë që këto takime të kenë produktivitet do të duhej që liderët të dakordoheshin për çështjet që dëshirojnë të kenë konsensus”, tha Ismaili.
Në takimin e së martës të thirrur nga PDK-ja, është propozuar që të diskutohet për fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, agjendën e integrimeve evropiane, formimin e Ushtrisë së Kosovës si dhe reformën zgjedhore.
Analisti Mushkolaj thotë se partitë politike, sipas të gjitha gjasave, mund të mbajnë takime të tilla, por qytetarët, nënvizon ai, nuk janë të interesuar për këso takime, por për rezultate konkrete që do të ndikonin pozitivisht për jetën e tyre.
“I vetmi interes këtu është i partive politike për të krijuar përshtypje thuajse po krijohet një lloj uniteti për tema të ashtuquajtura të mëdha, por edhe uniteti për tema të mëdha edhe diskutimi për to edhe vendimmarrja duhet të ndodhë vetëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Mushkolaj.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ditë më parë, ka prezantuar edhe propozim-platformën për konsensus rreth këtyre temave.
Por, dy nga partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë se propozimi i Veselit për të krijuar unitet është dëshmi e pafuqisë së koalicionit qeverisës për t’u marrë me tema të mëdha.
Opozita në Kuvendin e Kosovës vazhdon të kontestojë legjitimitetin e Qeverisë aktuale të Kosovës, por zyrtarisht nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë drejt ngritjes së ndonjë mocioni të mosbesimit, sado që kjo çështje përmendet si mundësi reale.
Koalicioni aktual qeverisës po ballafaqohet me faktin e humbjes së shumicës në Kuvend, pasi që Lista Serbe ka vendosur të kalojë në opozitë.
Megjithatë, bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as Opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, por zyrtarët e LDK-së thonë se do të provojë të sigurojë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë.