Trump tregon pa dashje disa detaje të marrëveshjes me Meksikën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka treguar pa qëllim disa detaje të marrëveshjes të tij për imigrim me Meksikën.

Bota

12/06/2019 22:10

Ai ka refuzuar të diskutojë planet me gazetarët, duke thënë se ato janë “sekrete”.

Mirëpo, teksa ka bërë këto deklarata, ai ka mbajtur një letër në dorë që ka treguar detajet e marrëveshjes, të cilën e kanë fotografuar më pas disa media.

Presidenti Trump ka ashpërsuar rregullat me kufirin me Meksikën, duke kërcënuar me vënie të tarifave në importet e Meksikës nëse nuk ndalet vala e migrantëve.

Në dokumentin e fotografuar shihet se Meksika është pajtuar për të ndalur migrantët.

Aty po ashtu është thënë se nëse Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se masat nuk kanë pasur mjaftueshëm suksese, atëherë, Meksika detyrohet të marrë masa të tjera ligjore, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.

Ministri i Jashtëm meksikan, Marcelo Ebrard, ka konfirmuar se Meksika ka vetëm 45 ditë për të treguar se ka kapacitet për të ndaluar valën e migrantëve.

Aktualisht ky shtet do të angazhojë 6,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare në kufi me Guatemalën.

Megjithatë Ebrard ka përmendur se negociatorët amerikanë i kanë kërkuar Meksikës që të ndalojë plotësisht kalimin e meksikanëve në SHBA, mirëpo sipas tij, një gjë e tillë është e pamundshme.