Trump pritet të mbajë këtë muaj mbledhjen e parë të “Bordit të Paqes” – a do të marrë pjesë Kosova?
Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të mbajë këtë muaj mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, një strukturë të krijuar për të mbledhur fonde dhe koordinuar rindërtimin e Gazës. Takimi, i propozuar për 19 shkurt, do të përfshijë liderë botërorë të ftuar nga Trump në janar si dhe anëtarë të një komiteti ekzekutiv për Gazën,…
Lajme
Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të mbajë këtë muaj mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, një strukturë të krijuar për të mbledhur fonde dhe koordinuar rindërtimin e Gazës.
Takimi, i propozuar për 19 shkurt, do të përfshijë liderë botërorë të ftuar nga Trump në janar si dhe anëtarë të një komiteti ekzekutiv për Gazën, i cili do të mbikëqyrë çështjet e qeverisjes, sigurisë dhe rindërtimit të territorit, thanë dy zyrtarë të administratës, duke folur nën kusht anonim, raporton AP.
Kosova është një nga vendet themeluese në këtë bord, ndërsa lajmi.net ka kontaktuar Presidencën për të verifikuar nëse presidentja Osmani e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në mbledhjen e parë. Deri në publikimin e lajmit, nuk kemi marrë ende një përgjigje zyrtare.
Kosova ende nuk e ka ratifikuar në Kuvend këtë marrëveshje të presidentes Osmani, pasi ende nuk është konstituar legjislatura e re. Presidentja Osmani pritet që shumë shpejtë të takoj liderët e partive politike në vend dhe t’i njoftoj në lidhje me Bordin e Paqes.
Sipas raporteve nga mediat shqiptare, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar ftesën. Shqipëria e ka ratifikuar në Kuvend këtë marrëveshje.
Siç shkruan AP, një zyrtar i administratës amerikane tha se pritet një pjesëmarrje “e fuqishme”, por nuk është e qartë se sa liderë botërorë do të konfirmojnë pjesëmarrjen.
Dokumenti i ftesës, i siguruar nga Associated Press, tregon se takimi do të mbahet në U.S. Institute of Peace, tani i njohur si Donald J. Trump U.S. Institute of Peace, një institucion që administrata Trump e mori nën kontroll vitin e kaluar, duke pushuar pothuajse të gjithë stafin e tij dhe duke nisur një betejë ligjore me drejtuesit e mëparshëm të organizatës.
Bordi i Trump, fillimisht i parë si një mekanizëm për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit Izrael-Hamas, tani duket se ka marrë një mandat më të gjerë për të adresuar krizat globale, duke synuar të shmangë pjesërisht Kombet e Bashkuara dhe të “riposicionojë” rendin ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore./lajmi.net/