​Trump kritikon Iranin: Po bën punë të dobët në Ngushticën e Hormuzit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Iranin se po e lejon kalimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit në mënyrë të pandershme. “Irani po bën një punë shumë të dobët, të pandershme do të thoshin disa, duke lejuar që nafta të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ka raportime se Irani po u…

Bota

10/04/2026 08:37

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Iranin se po e lejon kalimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit në mënyrë të pandershme.

“Irani po bën një punë shumë të dobët, të pandershme do të thoshin disa, duke lejuar që nafta të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ka raportime se Irani po u ngarkon tarifa cisternave që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Më mirë të mos e bëjnë këtë dhe, nëse po, më mirë të ndalen tani. Kjo nuk është marrëveshja që kemi”, ka shkruar Trump në rrjetin social Truth Social.

Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh të vazhdueshme në rajon, ku kjo rrugë ujore përbën një nga arteriet më të rëndësishme për transportin global të naftës. Çdo ndërhyrje në lirinë e lundrimit në këtë zonë ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Sipas raportimeve të verifikuara nga BBC Verify, të paktën nëntë anije kanë kaluar gjatë të enjtes në këtë kanal strategjik. Ndërkohë, zëdhënësja e Trump kishte deklaruar më herët se presidenti kishte hedhur si ide edhe mundësinë e rritjes së të ardhurave nga anijet që kalojnë në këtë ngushticë.