Trump – Ishiba: Do të nisim një “epokë të re të artë” në marrëdhëniet SHBA-Japoni
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri japonez Shigeru Ishiba u takuan në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke shpallur një “epokë të re të artë” në marrëdhëniet SHBA-Japoni. Vizita vjen mes vendimeve të hershme të politikës së jashtme të Presidentit Trump që kanë tronditur aleatët dhe kundërshtarët. Shumë japonezë ishin të shqetësuar për vizitën e…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/147-1.jpg)
Bota
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri japonez Shigeru Ishiba u takuan në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke shpallur një “epokë të re të artë” në marrëdhëniet SHBA-Japoni. Vizita vjen mes vendimeve të hershme të politikës së jashtme të Presidentit Trump që kanë tronditur aleatët dhe kundërshtarët.
Shumë japonezë ishin të shqetësuar për vizitën e kryeministrit Shigeru Ishiba të premten në Shtëpinë e Bardhë. Por, ai duket se arriti të ndërtonte raporte të mira me Presidentin Donald Trump.
Ishiba lavdëroi Presidentin amerikan, duke thënë se ai ishte frymëzuar nga shpirti i patrembur i zotit Trump për të fituar zgjedhjet dhe për të përmbushur misionin e tij, madje edhe pas një atentati.
“Ju do të zbatoni nismën tuaj për ta bërë Amerikën sërish Madhështore. Dhe gjithashtu do të dyfishoni përpjekjet tuaja për të sjellë paqe në botë. Për këtë arsye Zoti ju ka shpëtuar”, tha kryeministri japonez.
Ata njoftuan fillimin e një “epokë të re të artë” në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.
Vizita e Ishiba vjen mes lëvizjeve të hershme të Presidentit Trump në politikën e jashtme, që kanë përshkallëzuar trysninë jo vetëm ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, por edhe ndaj aleatëve dhe partnerëve të saj. Të premten Presidenti Trump kërcënoi sërish me tarifa të ndërsjella.
“Ne do vendosim tarifa reciproke ndaj çdo vendi që na detyron të paguajmë tarifa kaq të larta”, tha ai.
Ishiba nuk pranoi të thoshte nëse vendi i tij do të hakmerrej.
Një tjetër çështje e debatueshme mes dy vendeve është oferta e kompanisë japoneze të prodhimit të çelikut “Nippon Steel” për blerjen e kompanisë amerikane nga Pitsburgu, “U.S. Steel” për 15 miliardë dollarë.
Ish Presidenti Joe Biden e bllokoi marrëveshjen në javët e fundit të mandatit të tij, duke përmendur shqetësimet mbi ndikimin që kjo mund të kishte në sigurinë kombëtare. Të premten, Presidenti Trump ishte i hapur për negociata.
“Ata do të shqyrtojnë mundësinë e një investimi në vend të blerjes së kompanisë amerikane. Nuk na pëlqeu ideja. “US Steel” është një kompani shumë e rëndësishme për ne”, tha Presidenti Trump.
Japonia ra dakord të rrisë investimet në sektorët kryesorë të Shteteve të Bashkuara, si dhe të blejë më shumë gaz natyror të lëngshëm amerikan, pika të rëndësishme të agjendës së Trump.
“Ata janë në gjendje të përdorin avantazhin e tyre në një mënyrë shumë strategjike dhe njëkohësisht të përpiqen të bëjnë gjëra që janë në interesin e Presidentit Trump, si mbetja e forcave amerikane në Japoni dhe vazhdimi i angazhimit amerikan në Indo-Paqësor”, thotë eksperti Jeffrey Hornung nga korporata Rand.
Në fushën e sigurisë, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia pritet të vazhdojnë bashkëpunimin për frenimin e kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut dhe agresionin e Kinës në ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.
Marrëveshjet aktuale në fushën e mbrojtjes mes Uashingtonit dhe Tokios, duke përfshirë angazhimet trepalëshe me aleatë të tjerë si Koreja e Jugut dhe Filipinet, pritet të vazhdojnë.