Trump dhe Biden do të mbajnë debatin e parë presidencial
Kandidatët presidencial në Shtetet e Bashkuara, demokrati Joe Biden dhe presidenti, Donald Trump, do të zhvillojnë debatin e parë televiziv, nga tre debatet sa pritet të mbahen deri në mbajtjen e zgjedhjeve më 3 nëntor.
Bota
Debati 90-minutësh televiziv Trump-Biden, i cili fillon në 3:00 të mëngjesit, më 30 shtator, dhe do të moderohet nga moderatori i Fox News, Chris Wallace, vjen mes tensioneve tregtare me Kinën, një rritje të numrit të vdekjeve nga koronavirusi dhe situatës së papunësisë në SHBA, ku dhjetëra miliona e amerikanë janë pa punë.
Debati zhvillohet pas publikimit më 27 shtator të detajeve të pagesave federale të taksave të të ardhurave të Trumpit.
Raporti hulumtues u publikua nga New York Times.
Për shkak të koronavirusit, akti tradicional i shtrëngimit të duarve para debatit është hequr.
Biden ka thënë se ai pret një sërë sulmesh personale nga Trumpi, i cili tashmë ka pohuar se demokrati 77-vjeçar “nuk e di se është gjallë”, një referencë për moshën e Bidenit.
Nga ana tjetër, Biden e ka quajtur Trumpin, 74 vjeç, një “prani toksike” në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të jetë e vështirë”, tha Biden në një intervistë të transmetuar, më 26 shtator në MSNBC.
Presidenti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 28 shtator se ai “po pret me padurim debatin”.
Rreth 100 milionë amerikanë pritet të ndjekin debatin televiziv, i cili është planifikuar të zhvillohet në Kleveland, Ohio, pa audiencë të drejtpërdrejtë të pranishme.