Trump anulon vizitën në Danimarkë pas diskutimeve për blerjen e Grenlandës

13:48 | 21 Gusht 2019

Foto: Reuters

Presidenti amerikan, Donald Trump ka anuluar një vizitë në Danimarkë, që ishte planifikuar të realizohej në fillim të muajit shtator, pasi kryeministrja e këtij shteti, Mette Frederiksen, ka hedhur poshtë idenë e tij për blerje të Grenlandës.

“Danimarka është vend shumë i veçantë me njerëz të jashtëzakonshëm, mirëpo bazuar në komentet e kryeminstres, Mette Frederiksen se ajo nuk ka interes për të diskutuar blerjen e Grenlandës, unë do të shtyj takimin tonë, të planifikuar brenda dy javëve, për një herë tjetër”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se Trump ka anuluar vizitën në Danimarkë.

Presidenti amerikan kishte planifikuar që të diskutonte për Arktikun në takimet në Kopenhagë me kryeministren Frederiksen, e cila ka fituar këtë pozitë në muajin qershor, si dhe me kryeministrin e Grenlandës, Kim Kielsen.

Frederiksen ka thënë të dielën se ideja e shitjes së Grenlandës te Shtetet e Bashkuara është absurde, pasi një këshilltar ekonomik i Trumpit ka treguar interesin e SHBA-së për të blerë ishullin më të madh në botë.

“Grenlanda nuk është në shitje. Grenlanda nuk është daneze. Grenlanda i përket Grenlandës. Unë shpresoj se kjo gjë nuk është menduar seriozisht”, ka thënë Frederiksen për të përditshmen, Sermitsiaq, gjatë një vizite në Grenlandë.

Ndërkohë presidenti amerikan ka konfirmuar se është diskutuar ideja për blerje të Grenlandës, një territor autonom danez, ndonëse ka thënë se kjo gjë nuk është pjesë e prioriteteve të tij.

“Koncepti ka lindur dhe në aspektin strategjik është interesant”, ka thënë Trump para gazetarëve në Nju Xhërsi.

Një traktat për mbrojtje në mes të Danimarkës dhe Shteteve të Bashkura që daton nga viti 1951, i jep të drejta ushtrisë amerikane në një bazë ajrore në veri të Grenladës.

Interesi i Trumpit për të blerë Grenlandën është pritur edhe me humor.

Lars Lokke Rasmussen, që së fundmi është larguar nga pozita e kryeministrit të Danimarkës ka thënë se “Kjo duhet të jetë shaka e 1 Prillit”.

Ku është Grenlanda?

Grenlanda është ishulli më i madh në botë, duke mos përfshirë Australinë që definohet si kontinent me të drejta të veta. Grenlanda përbën territor autonom danez, që gjendet në mes të Oqeanit Atlantik dhe atij Arktik.

Ka një popullësi prej rreth 56,000 personave, si dhe ka qeverinë dhe parlamentin e vet.

Më shumë se 80 për qind e ishullit është e mbulur me shtresa të akullit, për të cilat ka shqetësime se mund të shkrihen si pasojë e ngrohjes globale.

Mirëpo shkrirja e akullit ka rritur qasjen në burimet minerale të ishullit, ndonëse besohet se përmes këtij procesi të shkrirjes mund të dalin në pah toksinat bërthamore që kanë mbetur në disa zona ushtarake amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.

Pse Trump do të kishte interes për ta blerë Grenlandën?

Trump është thënë të jetë interesuar për blerje të këtij territori për shkak të burimeve natyrore që ka siç janë: thëngjilli, zinku dhe xehe të ndryshme.

Por ndonëse është e pasur me këto minerale, ajo varet nga Danimarka për dy të tretat e buxhetit të saj.

Ky territor përballet me shkallë të lartë të vetëvrasjeve, papunësisë si dhe problemeve të lidhura me alkool.

Dy persona që kanë qenë pjesë e diskutimeve kanë thënë për të përditshmen The New York Times se Trump është interesuar për ta blerë Grenlandën si “vlerë të sigurisë kombëtare” për shkak të lokacionit.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë këtë territor strategjik andaj edhe kanë krijuar një bazë ajrore aty gjatë Luftës së Ftohtë.

A ka tentuar ta blejë dikush më parë Grenlandën?

Ideja e blerjes së Grenlandës është ngritur fillimisht në vitet 1860, gjatë presidencës së Andrew Johnson.

Më 1867, një raport i Departamentit amerikan të Shtetit ka konsideruar se lokacioni strategjik i Grenlandës, e kthen atë në vend ideal për blerje.

Mirëpo asnjë veprim në këtë drejtim nuk është bërë derisa Harry Truman i ka ofruar Danimarkës 100 milionë dollarë për blerje të këtij territori më 1946.

Agjencia e lajmeve, The Associated Press ka thënë se ai edhe ka konsideruar idenë e shkëmbimit të territoreve në Alaskë me disa pjesë strategjike të Grenlandës./rel