Tri sulme në veri brenda 48 orëve, qeveritarët sot thonin se siguria atje s’ka qenë kurrë më mirë

Sulme në veri të vendit ka pasur sot e disa ditë radhazi. Mbrëmja e sotme e shënoi sulmin e tretë vetëm për 48 orët që po lëmë pas. Ndonëse organet e sigurisë në vend po punojnë pareshtur për menaxhimin e gjendjes, si e tillë ende vazhdon të mbetet shqetësuese për sigurinë. E mëngjesin e sotëm…

Lajme

29/11/2024 21:20

Sulme në veri të vendit ka pasur sot e disa ditë radhazi.

Mbrëmja e sotme e shënoi sulmin e tretë vetëm për 48 orët që po lëmë pas.

Ndonëse organet e sigurisë në vend po punojnë pareshtur për menaxhimin e gjendjes, si e tillë ende vazhdon të mbetet shqetësuese për sigurinë.

E mëngjesin e sotëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar ashpër sulmet që po bëhen ndaj  institucioneve të Kosovës në veri të vendit ku tha se sulmet e tilla kanë për qëllim “vetëm të mbjellin frikë”.

Kurti u shpreh se këto sulme janë shprehje e pafuqisë së strukturave kriminale.

Duke folur për sulmin e mbrëmshëm ku komuna e Zveçanit u godit me granata dore, Kurti tha se “keqbërës nuk është se s’ka”, transmeton lajmi.net.

“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, që nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Shprehje e pafuqisë së tyre, akte terrorizimi, që kanë qëllim të mbjellin frikë”

Kryeministri po ashtu deklaroi se në vendin tonë nuk mund të ketë as individ e as struktura që janë më të fuqishme se sa shteti i pavarur i Kosovës, që ngadhënjen rregullisht me ligjin e drejtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kurrë nuk ka qenë gjendja në veri të Kosovës, më e mirë dhe më e sigurt se sa tani.

Ai deklaroi se në katër komunat e veriut, ka siguri, zhvillim e demokraci.

“Kurrë nuk ka qenë gjendja në veri më e mirë e më e sigurt se sa tani. Në katër komunat ka siguri, zhvillim e demokraci. Jo sa do të duhej, por pakrahasueshëm më mirë se sa ishte”, deklaroi Kurti.

“Shprehje e dëshprimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi”, i quajti edhe ministri i Punëve të Brendshme të vendit, Xhelal Sveçla.

E ndërkohë, edhe pas këtyre fjalëve “ngushëlluese”, në veri të vendit prapë ndodh një sulm që po dyshohet të jetë me dinamit.

Shpërthim i fundit i ndodhur para disa orësh në Zubin Potok ka dëmtuar një kanal të Ibër Lepencit dhe shkaktuar derdhje të pakontrolluar uji në atë zonë.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani.

Shpërthimi i këtij kanali rrezikon funksionimin e KEK-ut dhe furnizimin e qytetarëve të Mitrovicës me ujë./Lajmi.net