Tri rreziqet për Kosovën
Terrorizmi, situata e ndjeshme në veri, si dhe revoltat sociale janë tri rreziqet e mundshme që i kanosen Kosovës në aspektin e sigurisë.

Lajme
Këto rreziqe i kanë identifikuar drejtues të institucioneve të rendit, ndërsa i konfirmojnë edhe raportet e organizatave joqeveritare që merren me çështjet e sigurisë, shkruan Koha Ditore.
Arrestimi i më shumë se 40 kosovarëve javën e kaluar nga policia me dyshimin se janë të përfshirë në aktivitete terroriste dhe nxitje të urrejtjes fetare, krimet e shumta ordinere dhe aksidentet e shpeshta tragjike në komunikacion, kanë shtuar frikën në opinion nëse shteti i ri po shkon duke u bërë vend i pasigurt për të jetuar.
Aq më tepër kur, siç vlerësojnë ekspertë të fushës së sigurisë, Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe teknike që të përballet dhe të trajtojë sfidat e rreziqet e sigurisë që e kanosin.