Tretja dhe zhbërja e trashëgimisë mijëravjeçare shqiptare
Informacione se UNESCO ka regjistruar lahutën si trashëgimi e popullit serb është pritur me reagime të ndryshme në Kosovë.
Lajme
Edhe pse ka qenë i pakët numri i atyre që kanë komentuar rreth kësaj çështjeje, ky lajm ka ‘tronditur’ skenën kulturore në vend, sidomos studiuesit e trashëgimisë kulturore.
Ndërsa nuk ka pasur ndonjë reagim nga institucione shkencore dhe kulturore dhe ato të politikës.
Lahuta është një nga instrumentet që ka përcjellë këngët epike shqiptare, dhe paraqet një aset mjaft me vlera për trashëgiminë kulturore shqiptare, pa të cilin nuk do të kishin kuptim këngët kreshnike.
Një studim i hollësishëm mbi këngët kreshnike (Dosja e Kreshnikëve, monumente i mbrojtur nga shteti) i hartuar nën kujdesin e studiuesit Zymer Neziri, tashmë është gati për të konkurruar për në UNESCO, por për shkaqe politike deri më tani ka mbetur i izoluar brenda hapësirës shqiptare.
Duke komentuar zhvillimet e fundit rreth lajmit se UNESCO ka regjistruar lahutën si trashëgimi kulturore të serisë, studiuesi dhe etnokoreologu Dilaver Kryeziu ka pohuar në një prononcim për KALLXO.com se moskujdesi institucional ndaj trashëgimisë po rrezikon tretjen dhe zhbërjen e trashëgimisë mijëravjeçare.
Sipas tij, këtë po e shfrytëzojnë fqinjët të cilët po përfitojnë nga neglizhenca jonë, posaçërisht e dikastereve qeveritare të cilat janë të thirrur të krijojnë kushte dhe mbrojtje për trashëgiminë tonë kulturore.
Ndërsa ka thënë se s’do mend që instrumenti i lahutës është një instrument mjaft i vjetër shqiptar.
“Se lahuta është instrument i yni, më së miri e dëshmon organologjia e cila merret me studimin e instrumenteve. Po e citoj një historian dalmatin i cili konfirmon se qysh në shekullin e XVIII ne paskemi pasë edhe mësonjëtore, ku të rinjtë ushtroheshin për të luajtur në lahutë dhe kënduar”, ka pohuar Kryeziu.
Megjithatë pavarësisht ‘heshtjes’ së zyrtarëve kosovarë për këtë çështje, zyrtarë të Shqipërisë përmes një deklaruat kanë pohuar se informacionet e përhapura në media se UNESCO-s ka pranuar Lahutën si të trashëgimi serbe nuk janë të sakta.
Ministria e Kulturës e Shqipërisë përmes një deklarate ka potencuar se në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.