​Trepça drejt normalizimit, aktivizohen pompat pas ndërprerjes së rrymës

Pas incidentit të mbrëmshëm, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar në minierën e Trepçës pas ndërprerjes së energjisë elektrike, situata në minierë është duke u normalizuar. Kryesindikalisti i minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se është rikthyer prodhimi dhe janë krijuar kushtet për vazhdimin e punës. Sipas tij, janë aktivizuar edhe pompat për largimin e ujit…

Lajme

08/10/2026 13:13

Pas incidentit të mbrëmshëm, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar në minierën e Trepçës pas ndërprerjes së energjisë elektrike, situata në minierë është duke u normalizuar.

Kryesindikalisti i minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se është rikthyer prodhimi dhe janë krijuar kushtet për vazhdimin e punës. Sipas tij, janë aktivizuar edhe pompat për largimin e ujit të grumbulluar gjatë kohës sa miniera ishte pa energji elektrike.

“Miniera është normalizuar, është kthyer prodhimi, është kyç sistemi i pompimit, kushtet për punë janë krijuar. Dhe ne besojmë që me mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, me KEK-un, me KOSTT-in, do ta sanojmë edhe gjendjen, do ta kthejmë në normalitet dhe të fillojë prodhimi. Janë duke u bërë përpjekje maksimale”, ka deklaruar Jonuzi.

Ai ka treguar se gjatë ndërprerjes së energjisë është grumbulluar ujë në minierë, pasi pompat nuk kanë mundur të funksionojnë.

“Pompat zakonisht kanë një rrjedhë prej 4 deri në 4.5 metra kub në minutë. Është një derë siguruese atje që mbyllet dhe uji akumulohet pas derës. Në momentin që ndërpritet rryma, punëtori që është përgjegjës për të obligohet që ta mbyllë derën. Ka zgjatë diku rreth 8 orë që s’ka pasur rrymë, është grumbulluar një sasi e ujit atje”, ka thënë ai.

Sipas Jonuzit, pompat janë aktivizuar rreth orës 03:10 dhe tashmë kanë nisur punën për largimin e ujit.

“Përafërsisht në ora 3:10 kemi kyçur pompat. Tash, shumë shpejt besoj se e largojmë ujin. Është hapur dera 12, horizontet 10, 9, 8 janë aktive, kurse horizonti 11 besoj se nesër hapet dera dhe kthehet puna edhe atje”, ka deklaruar Jonuzi.

Ndërkohë, pas ndërprerjes së energjisë elektrike, 63 minatorët që kishin mbetur brenda minierës kanë dalë gjatë mbrëmjes së kaluar. Sot, fokusi është në rikthimin e plotë të funksionimit të minierës, largimin e ujit të grumbulluar dhe vazhdimin e prodhimit.