Trendafilova reagon pas kritikave ndaj Speciales: Askush nuk mund t’u diktojë gjyqtarëve si ta zbatojnë ligjin
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka dalë me një deklaratë publike për punën dhe pavarësinë e këtij institucioni, në një kohë kur Specialja po përballet me kritika të vazhdueshme pas dënimit me burgim të ish-krerëve të UÇK-së, protesta pas vendimeve gjyqësore dhe ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara…
Lajme
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka dalë me një deklaratë publike për punën dhe pavarësinë e këtij institucioni, në një kohë kur Specialja po përballet me kritika të vazhdueshme pas dënimit me burgim të ish-krerëve të UÇK-së, protesta pas vendimeve gjyqësore dhe ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Në deklaratën e saj, Trendafilova nuk i ka përmendur drejtpërdrejt ndryshimet ligjore dhe as nuk u është përgjigjur konkretisht kritikave për anshmëri dhe ndikime të mundshme politike në proceset gjyqësore.
Ajo është përqendruar në mbrojtjen e mandatit të gjykatës, duke pretenduar se institucioni është përballur me dezinformata që nga themelimi, raporton lajmi.net
“Që nga themelimi, Dhomat e Specializuara i janë nënshtruar dezinformatave lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre”, ka deklaruar Trendafilova, duke shtuar se ka pasur edhe përpjekje për pengimin e drejtësisë.
Kryetarja e Speciales ka rikujtuar se mandati i institucionit buron nga shkëmbimi i letrave, Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ajo ka përsëritur qëndrimin se gjykata garanton të drejtat e të akuzuarve për një proces të drejtë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Ndryshe nga dezinformatat që përhapen vazhdimisht për gjykatën, Dhomat e Specializuara u garantojnë të akuzuarve të drejtat për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”, ka thënë ajo.
Megjithatë, në deklaratën e saj, Trendafilova nuk është ndalur në mënyrë konkrete te kritikat e ngritura ndaj proceseve gjyqësore në Hagë.
Një raport i mëhershëm i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit kishte ngritur shqetësime për drejtësinë e procesit, pretendime për anshmëri dhe çështje që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut. Këto shqetësime nuk janë trajtuar konkretisht në deklaratën e fundit të kryetares së Speciales.
Në vend të kësaj, Trendafilova ka mbrojtur integritetin dhe paanshmërinë e gjyqtarëve të institucionit, duke theksuar se ata i ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe në shërbim të drejtësisë.
Ajo ka insistuar se askush nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si gjyqtarët interpretojnë dhe zbatojnë ligjin.
“Ndonëse kritika ndaj vendimeve gjyqësore është legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos diktojë se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin”, ka deklaruar Trendafilova.
Më tej, ajo ka thënë se Dhomat e Specializuara vazhdojnë ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndikime apo ndërhyrje politike, duke përsëritur përkushtimin e institucionit ndaj standardeve ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.
Deklarata vjen në një periudhë të ndjeshme për Specialen, pas reagimeve të shumta në Kosovë ndaj vendimeve të saj dhe protestave kundër trajtimit gjyqësor të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trendafilova nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë për ndryshimet e fundit në ligj dhe as për kritikat specifike që janë ngritur ndaj institucionit, por ka zgjedhur të riafirmojë pavarësinë e tij dhe të kundërshtojë atë që e cilëson si dezinformim.
Ndërkohë, roli i saj në drejtimin e Speciales ka qenë prej vitesh pjesë e debatit publik në Kosovë. Takimet e saj me përfaqësues diplomatikë dhe deklaratat e mëhershme lidhur me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë qenë gjithashtu objekt diskutimi dhe kritikash.
Përplasja mes qëndrimit të Speciales për pavarësinë e saj dhe kritikave të ngritura në Kosovë vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në debatin publik për drejtësinë në Hagë.
Fjala e saj e plotë:
Dhomat e Specializuara janë përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Gjithashtu, ka pasur përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë, të cilat kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë për frikësimin e dëshmitarëve para gjykatës.
Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar përmes një shkëmbimi letrash, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e përqendruar në sigurimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat.
Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht. Gjykatësit e emëruar në Dhomat e Specializuara janë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese. Për t’u kualifikuar si gjykatës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ata duhet të jenë persona me karakter të lartë moral, paanshmëri dhe integritet, të cilët zotërojnë kualifikimet e kërkuara në shtetet e tyre për emërim në postet më të larta gjyqësore.
Siç përcaktohet në betimin e tyre gjyqësor, gjykatësit i ushtrojnë detyrat e tyre gjyqësore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, duke i shërbyer çështjes së drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Gjykatësit zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën e saj gjyqësore. Gjykatësit i zhvillojnë procedurat në një mënyrë që i mbron këto të drejta në çdo hap të procesit gjyqësor.
Mbikëqyrja e vendimeve gjyqësore kryhet përmes procesit të ankesave, përfshirë panelet e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Panelin e Gjykatës Supreme. Të pandehurit gjithashtu mund t’i drejtohen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nëse besojnë se të drejtat e tyre janë shkelur. Vlen të theksohet se të pandehurit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe, në një numër aktgjykimesh, kanë pasur sukses.
Ndërsa kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin. Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime apo ndërhyrje politike.
Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë punën e besuar atyre në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritshmërinë që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit./Lajmi.net/
This video is a statement by the KSC President about the Court’s independence, its steadfast protection of witnesses and victims and its unwavering commitment to the rule of law. https://t.co/SBzMjfbWZH
— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) October 19, 2026