Tre serbë u vranë nga kushëriri i tyre në Busi të Prishtinës, banori rrëfen për tentativën serbe për të manipuluar të vërtetën

Në një rrëfim për televizionin Dukagjini, Imer Gashi nga fshati Busi i komunës së Prishtinës ka treguar se si Serbia po përpiqet që për vrasjen e tre serbëve, nga një serb tjetër, fajin t’ua lë shqiptarëve. Gashi tha se më 1999, Sërgjan Simiq kishte vrarë me sopatë Zhivojin, Trojan dhe Zhivko Simiqin, e më pas…

Lajme

02/08/2025 23:00

Në një rrëfim për televizionin Dukagjini, Imer Gashi nga fshati Busi i komunës së Prishtinës ka treguar se si Serbia po përpiqet që për vrasjen e tre serbëve, nga një serb tjetër, fajin t’ua lë shqiptarëve.

Gashi tha se më 1999, Sërgjan Simiq kishte vrarë me sopatë Zhivojin, Trojan dhe Zhivko Simiqin, e më pas kishte ikur drejt Serbisë. Ai tregoi se me qëllim të fabrikimit dhe propagandës, së fundmi në fshat ishin një grup serbësh.

Tre serbë që dyshohet të jenë vrarë me sopatë nga kushëriri i tyre në maj të vitit 1999 në fshatin Busi të Prishtinës, nëpërmjet fabrikimit e propagandës, Serbia po përpiqet t’i paraqesë si “të masakruar nga fqinjët shqiptarë”.

Në një rrëfim për televizionin Dukagjini, Imer Gashi nga Busia tha se në përvjetorin e vrasjes së Zhivojin, Trojan dhe Zhivko Simiq – në fund të muajit maj të këtij viti – një grup serbësh së bashku me prijës fetarë ishin në fshat.

Ai fillimisht ishte habitur me numrin njerëzve, automjeteve dhe kamerave që pa poshtë pronës së tij.

Sipas Gashit, në vendin ku ishin vrarë tre serbët, ata vendosën lule dhe një kryq të improvizuar – teksa kryen filmime, siç tha, për një “dokumentar” propagandues.

“Isha pak ma naltë, edhe më thotë një pop, a e din qysh u kanë ngjarja? Po qysh ka me kanë ngjarja, ju vet i keni mytë, thashë”, ka thënë Imer Gashi, Banor i fshatit Busi, Prishtinë.

Duke përmendur me emër e mbiemër dëshmitar nga komuniteti serb, Gashi tha se tre serbët i kishte vrarë kushëriri i tyre Sërgjan Simiq, për të cilin tha se nga paslufta jeton në Serbi – pasi edhe para luftës u bënte probleme shqiptarëve.

“Ky krimineli është njëfar, Sërgjan… Simiq, Sërgjan Simiq. Këta ma ka tregu edhe një serb është i këtuhit, kojshi i joni, jeton atje ***, ma ka tregu historinë se qysh ka ndodhë vrasja e këtyre serbëve”, ka thënë Imer Gashi, banor i fshat Busi, Prishtinë.

Teksa tregoi se më 1999, kur kishte ndodhur rasti, në fshat nuk kishte shqiptarë, Imer Gashi tha se sherr për vrasjen mes serbëve ishte bërë ndarja e mbi 1000 bagëtive të cilat ata, sipas tij, i kishin vjedhur.

“Këta i ka pre një bashkëvendas i tyre, d.m.th këta dojnë me bë një propagandë kinse i kena pre na shqiptarët. Këta pas luftës i kanë vjedhë gjanë (bagëtinë) e katunit, të Busisë, të Kullecve edhe të Mramorit, edhe i kanë pru këtu te shpijat e tyre ku i kanë ma poshtë. Edhe nuk kanë mujt me ra në marrëveshje me i nda gjanë (bagëtinë) d.m.th. lopë, dhenë e çka kanë pasë, edhe ai krimineli që i ka pre këta, i ka marrë gjanë (bagëtinë), i ka shitë dhe ka ecë për Serbi”, ka thënë Imer Gashi, Banor i fshat Busi, komuna e Prishtinës.

Gashi tha se një kohë serbët ishin përpjekur që fajin t’ia mveshin një bashkëfshatari shqiptar, tashmë të ndjerë, por shtoi se për përpjekjet për fabrikim mori vesh vetëm së fundmi.

Në një libër propagandues, Serbia fajëson, siç thuhet, fqinjët shqiptarë për kasaphanen ndaj anëtarëve të familjes Simiq.

Prokuroria, e cila kuptoi për rastin vetëm pas interesimit të televizionit Dukagjini, shprehi gatishmëri për veprim.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar deri më tani asnjë informacion lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetjen. Megjithatë, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës do ta trajtojë këtë informacion në bashkëpunim me hetuesit policorë”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënse e Prokurorisë Speciale.

Ndërkohë, Gashi u shpreh i gatshëm që rrëfimin e tij ta japë edhe në institucionet e drejtësisë.