Tre punëtorë largohen nga puna, nga Telekomi i Kosovës thuhet se nuk pranuan pozitat e reja

Telekomi i Kosovës ndër vite është “përplasur” me probleme të njëpasnjëshme. Sukseset janë të pakta, e ballafaqimet me probleme janë të vazhdueshme. Probleme me paga, emërime, ç’emërime, ndryshime të pozitave të punëtorëve e deri tek largimi në numër të madh të tyre. Ngjashëm situata është edhe së fundi anipse me ardhjen e kryeshefes së re…

Lajme

04/07/2024 11:02

Telekomi i Kosovës ndër vite është “përplasur” me probleme të njëpasnjëshme.

Sukseset janë të pakta, e ballafaqimet me probleme janë të vazhdueshme.

Probleme me paga, emërime, ç’emërime, ndryshime të pozitave të punëtorëve e deri tek largimi në numër të madh të tyre.

Ngjashëm situata është edhe së fundi anipse me ardhjen e kryeshefes së re ekzekutive të Telekomit të Kosovës ishte paraparë që të ketë zhvillueshmëri më të mirë të punës, e suksese të Telekomit.

Burbuqe Hana, kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës së fundi mori vendim për shkëputje të kontratës për tre punëtorë të Telekomit.

Merita Krasniqi, Kushtrim Vrajolli dhe Arif Musa tashmë janë ish-punëtorët e Telekomit. Madje për dy prej tyre theksohet se vendimi për largim nga puna është marrë gjatë kohës sa ata ishin në pushim mjekësor dhe se nuk patën as të drejtë ankese.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Telekomin e Kosovës nga ku është thënë se Telekomi i Kosovës Sh.A nuk i ka shkarkuar të tre punëtorët në fjalë.

Sipas Telekomit, të njëjtëve iu është ndërprerë marrëdhënia e punës sipas Ligjit të Punës dhe akteve të brendshme të kompanisë, të cilat qartësisht janë arsyetuar në vendimet përkatëse të secilit prej tyre.

“Telekomi i Kosovës Sh. A., nuk i ka shkarkuar të tre punëtorët në fjalë. Të njëjtëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës sipas ligjit të punës dhe akteve të brendshme të kompanisë, të cilat qartësisht janë arsyetuar në vendimet përkatëse të secilit prej tyre.Telekomi i Kosovës është duke kaluar nëpër një proces të ristrukturimit. Në kuadër të këtij procesi këtyre të punësuarve u është ofruar pozitë pune ekuivalente me përgatitjen profesionale dhe në harmoni me strukturën e re organizative, për më tutje këta të punësuar janë inkurajuar dhe ftuar për të aplikuar në të gjitha pozitat e hapura dhe të njëjtit nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë”,thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Tutje u tha se meqenëse pozitat të cilat mbanin janë shuar, apo janë plotësuar përmes konkurseve të hapura, të njëjtëve nga punëdhënësi u është ofruar kontratë e re e punës.

“Meqenëse pozitat të cilat i mbanin janë shuar, apo janë plotësuar përmes konkurseve të hapura,  të njëjtëve nga punëdhënësi u është ofruar kontratë e re e punës, duke u kujdesur në tërësi që të respektohen të gjitha dispozitat e aplikueshme ligjore”.

Sipas Telekomit, pasi procesi i konkurrimit në konkurset publike është bojkotuar nga ana e tyre dhe nuk i kanë pranuar kontratat e ofruara, Telekomi ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së tyre të punës, duke u kujdesur për afatet e njoftimit dhe duke u kujdesur që vendimet të jenë në harmoni me ligjin e punës.

Ndryshe sipas raportimeve të fundit huhet se Merita Krasniqi, është mbesa e ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Krasniqi kishte mbajtur pozitë koordinuese në Departamentin e Marketingut. Po ashtu ajo theksohet se ishte degraduar në pozitë nga ajo e zv/drejtorësh në atë të të koordinueses, ku ndërmarrja publike ku udhëheqë ishte pasuar me masë ndëshkimore nga Inspektorati i Punës.

Duhet përkujtuar që ndryshime të ngjashme në Telekom pati edhe vite më parë.

Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës ka paguar 6 milionë e 231 mijë e 768 euro për 302 ish-punëtorët e saj, të cilët i pati larguar me anë të një marrëveshje paraprake në mes palëve në emër të zvogëlimit të numrit të punëtorëve. Prej këtij numri të përgjithshëm të punëtorëve të larguar, 64 prej tyre janë punëtorë që janë afër pensionimit për katër-pesë vjet, dhe për të cilët është bërë marrëveshja për pagesën prej 60% të pagës aktuale që kanë pasur deri në moshën e pensionimit. Vetëm për këta 64 ish-punonjës, Telekomi është dashur të paguajë gjithsej 1 milionë e mbi 144 mijë euro.

Ndërkaq, për pjesën tjetër të punonjësve të larguar, që janë 238 punëtorë, Telekomi i Kosovës iu është detyruar gjithsej 5 milionë e mbi 86 mijë euro. Ky grup i dytë i ish-punonjësve të Telekomit nuk ka plotësuar kushtin për pjesëmarrje në Pakon A, që përfshinte punëtorët që janë në prag të pensionimit dhe që përfitonin 60% të pagës aktuale deri në pensionim, por të njëjtëve u janë paguar nga Telekomi gjithsej 24 paga sipas pagës aktuale që kanë pasur sa kanë qenë punëtorë të ndërmarrjes.

Pra, Telekomi me anë të kësaj marrëveshjeje për minimizimin e punëtorëve në ndërmarrje, është detyruar që t’ua paguajë këtyre punëtorëve për dy vjet rresht pagat edhe pse të njëjtit nuk do të dalin në punë./Lajmi.net/