Tre-katër mbrojtës të viktimave për qindra raste të dhunës në familje
Pavarësisht ligjeve të hartuara për mbrojtjen e viktimave, dështimet sistematike dhe mungesa e burimeve i lënë shumë gra në Kosovë të cenueshme ndaj dhunës. Drita, 60 vjeçe nga rajoni i Podujevës, ka duruar gati katër dekada dhunë – nga tri familje të ndryshme, përfshirë edhe të sajën – dhe sot është në pritje… Gjatë një…
Lajme
Pavarësisht ligjeve të hartuara për mbrojtjen e viktimave, dështimet sistematike dhe mungesa e burimeve i lënë shumë gra në Kosovë të cenueshme ndaj dhunës.
Drita, 60 vjeçe nga rajoni i Podujevës, ka duruar gati katër dekada dhunë – nga tri familje të ndryshme, përfshirë edhe të sajën – dhe sot është në pritje…
Gjatë një rrëfimi për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se drama e jetës së saj ka nisur në të 20-tat, pas vdekjes së bashkëshortit të parë.
Atëkohë, thotë se familjarët e tij nisën ta dhunonin fizikisht e psikikisht, duke e detyruar të kthehej përfundimisht në shtëpinë e familjes.
Ambienti ku ishte rritur, nuk ishte më mikpritës për të. Por, duke qenë pa edukim, pa punë dhe nën rrethana të tjera të kohës, ajo duroi edhe fyerjet e ofendimet, të cilat nuk mbetën me aq.
Me kalimin e viteve, Drita thotë se kunata dhe djali i vëllait nisën ta dhunonin fizikisht.
Ndryshe prej herës së parë, Drita i raportoi ata në stacionin policor në Podujevë.
“I kam raportuar 11 vjet më parë, por policia nuk më ka ndihmuar gjë. Vetëm më ka thënë se nuk do të guxojnë të të prekin më me dorë. Dhe, policia nuk është marrë më me rastin”, kujton Drita – emër i vendosur nga redaksia e REL-it për të ruajtur identitetin e saj.
Derisa drama në shtëpinë e saj vazhdonte, Drita, kur ishte gati në të 50-tat, u martua për herë të dytë, por fatin e kishte thuajse të njëjtë.
Sërish dhunë nga bashkëshorti e familjarët e tij, dhimbje e net pa gjumë.
Këtë makth thotë se e duroi për plot nëntë vjet, më saktësisht deri më 12 dhjetor të vitit të kaluar, kur vendosi të largohej nga ajo shtëpi, të zhvendosej në një strehimore në Mitrovicë të Jugut dhe ta raportonte dhunën në polici.
“Veç Zoti e di se si ka qenë jeta ime aty. Jam në një situatë shumë të keqe. Është zor t’i kesh 60 vjet e të mos kesh as shtëpi e as familje”, thotë Drita.
Në ditën kur REL-i bisedoi me të, javën e kaluar, ajo ishte ende në strehimore, e pasigurt se si do të vazhdojë tutje.
Ajo u intervistua nga policia pa mbrojtës nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, edhe pse praninë e tij e kërkon ligji.
Përveç kësaj, mbrojtësi, i obliguar edhe për këshillimin e viktimës, nuk e takoi Dritën deri në ditën e pestë të strehimit në strehimore.
Me ligj, ai duhet ta vizitojë menjëherë viktimën për të diskutuar rastin, e më pas viktima e krimit paraqitet në seanca gjyqësore e prokuroriale bashkë me mbrojtësin.
“Unë e di që e meritojnë dënimin, por jam lodhur. Dua veç një të ardhme, të kem një vend ku mund të jetoj”, shprehet Drita – pak edhe shpërfillëse se çka do të ndodhë me ish-familjarët dhunues.
Por, kjo përvojë e saj nuk është e rrallë në Kosovë dhe nxjerr në pah një krizë më të thellë në të gjithë vendin.
Autoritetet pranojnë se janë me dhjetëra e dhjetëra raste të vonesave për këshillimin e viktimave, të shtyrjes së seancave gjyqësore e prokuroriale me ditë ose me javë, për shkak të mungesës së mbrojtësve nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në rajonin e Mitrovicës, ku aktualisht gjendet Drita, vitin e kaluar janë raportuar 246 raste të dhunës në familje, në 231 prej të cilave viktima kanë qenë gratë, tregojnë të dhënat nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.
Ky rajon funksionon me vetëm tre punonjës nga kjo zyrë, të cilët mbulojnë gjithsej shtatë komuna: Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut, Skenderajn, Vushtrrinë, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin.
Nga kjo zyrë thonë për Radion Evropa e Lirë se në situatat kur mbrojtësi i viktimave nuk mund të ofrojë përfaqësimin e tyre në seanca gjyqësore, gjykatësit i propozohet që seanca të mos mbahet dhe të caktohet për një ditë tjetër.
Drejtoresha e qendrës ku ndodhet Drita, Fidane Hyseni, thotë se shtyrja e seancave – me ditë ose me javë të tëra – nuk ndikon aspak mirë te viktimat.
“Do të ishte mirë të shtohej numri i mbrojtësve të viktimave, por edhe i punëtorëve socialë. Ne në Mitrovicë i kemi të dyja pjesët, edhe veriun, edhe jugun. Ka shumë raste [të dhunës] e pak punëtorë”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.
Situatë e ngjashme në të gjitha pjesët e Kosovës
Me burime të pamjaftueshme përballet edhe rajoni i Gjilanit. Me vetëm tre mbrojtës, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në këtë komunë, mbulon edhe gjashtë të tjera: Kamenicën, Vitinë, Parteshin, Kllokotin, Ranillukun dhe Novobërdën.
Me mbi 400 raste të dhunës të raportuara vitin e kaluar, me 303 seanca gjyqësore dhe me 120 seanca në prokurori, “është një punë tepër e madhe për t’u kryer me vetëm tre mbrojtës të viktimave”, thonë nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në Gjilan.
Zyra në Ferizaj i ka dy mbrojtës, të cilët mbulojnë edhe Kaçanikun, Hanin e Elezit, Shtërpcën dhe Shtimen. Në vitin 2023, ata kanë trajtuar gjithsej 288 raste të dhunës në familje.
Ndërkaq, në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në Prizren thonë se janë katër mbrojtës, që vitin e kaluar janë marrë me 310 raste të dhunës në familje, kurse në Gajakovë, Rahovec e Malishevë, dy mbrojtës kanë trajtuar 245 raste të tilla.
Me vetëm katër mbrojtës, Zyra në Pejë mbulon edhe Klinën, Istogun, Deçanin dhe Junikun. Vitin e kaluar, ata kanë pasur përsipër 291 raste.
“Kemi një territor me popullsi ndër më të mëdhatë në Kosovë. Por, me përpjekje i jemi përgjigjur secilit rast”, thonë nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në Pejë për Radion Evropa e Lirë.
Zyra në Prishtinë, në anën tjetër, ka pesë persona për t’u ofruar ndihmë ligjore grave të dhunuara dhe mbulon edhe Podujevën, Lipjanin, Fushë Kosovën, Drenasin, Graçanicën dhe Obiliqin.
Nga kjo zyrë konfirmojnë për REL-in se vitin e kaluar kanë trajtuar gjithsej 817 raste të dhunës në familje.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thotë se ka kërkuar disa herë nga Qeveria e Kosovës që të rrisë numrin e mbrojtësve e punëtorëve – madje edhe me 200 të rinj – por se kjo nuk ka ndodhur.
“Këtë vit na janë premtuar pesë mbrojtës të rinj nga Qeveria, për të cilët është hapur konkursi, mirëpo atyre u duhet të trajnohen një vit për të qenë të aftë për përfaqësim ligjor të viktimave”, thotë për Radion Evropa e Lirë Fanol Plakiqi, ushtrues i detyrës së udhëheqësit të Zyrës për Shërbime të Përgjithshme.
Në Qeverinë e Kosovës nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për komente në këtë temë.
“Të injoruara dhe të pambrojtura”
Aktivistët paralajmërojnë se mungesa e mbështetjes në kohë për viktimat e dhunës, minon besimin e tyre në institucione.
“Ato ndihen të injoruara dhe të pambrojtura, dhe vonesat krijojnë një ndjenjë të thellë të pasigurisë dhe humbjes së shpresës.”, thotë për Radion Evropa e Lirë Neri Ferizi, udhëheqëse e organizatës “Fourth Wave”, e cila merret me avancimin e drejtësisë shoqërore përmes ideologjisë feministe.
Për më tepër, shton Ferizi, shtyrja e seancave gjyqësore ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në procesin gjyqësor dhe mund të çojë në humbjen e provave.
Ajo e sheh si tejet të nevojshëm sigurimin e resurseve për të gjitha institucionet që janë të përfshira në luftën kundër dhunës në familje.
“Jo vetëm kjo, por edhe edukimi i zyrtarëve institucionalë dhe i popullatës duhet të jenë prioritete për përmirësimin e gjendjes aktuale në Kosovë”, sipas Ferizit.
Në Kosovë, çdo vit raportohen mijëra raste të dhunës në familje, ku shumica e viktimave janë gra.
Aktivistët, më herët, kanë ngritur zërin edhe për dënimet e ulëta që marrin abuzuesit.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burgim për të akuzuarit për dhunë në familje, por në një raport që publikoi Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë në vitin 2023, thuhej se shumë pak të akuzuar për veprën e tillë u dënuan me burg.
Raporti analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës dhe, sipas tij, 98 për qind të të akuzuarve për dhunë në familje iu shqiptua aktgjykim dënues, për shembull me gjobë, dhe vetëm 11 për qind u dënuan me burgim.
Nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët. REL