Trajneri Dritës tregon nëse Nwabueze do të rikthehet te Drita

Sulmuesi nigerian, Kyrian Nwabueze është përfolur si një emrat që mund të transferohet te kampionia e Kosovës, Drita në afatin kalimtar të janarit.

Sport

26/12/2020 14:45

Futbollisti që aktivizohet te Laçi, sipas “Panorama” mund të largohet nga Shqipëria në muajin e ardhshëm për t’iu bashkuar skuadrës gjilanase.

Megjithatë, interesimin e Dritës për 28-vjeçarin e ka mohuar kategorikisht trajneri Ardian Nuhiu.

Trajneri shkupjan në një prononcim për “Zeri.info” ka thënë se klubi gjilanas nuk ka pasur asnjë kontakt me Nwabuezen.

“Nuk është i vërtetë ky lajm. Nwabueze ka kontratë me Laçin dhe është pjesë e tyre. Nuk kemi pasur asnjë kontakt”, deklaroi të shtunën trajneri.

Ndryshe, Nwabueze ishte pjesë e Dritës nga janari i vitit 2019 deri në korrik të atij viti.

Me Dritën në Superligën e Kosovës, nigeriani me pasaportë amerikane kishte shënuar shtatë gola dhe kishte dhuruar një asistim në 12 ndeshje.