Tragjedia në Koçan, dy pacientë që trajtohen në Beograd janë në rrezik për jetën

Gjendja shëndetësore e të lënduarve që trajtohen në Beograd është e qëndrueshme, por 2 pacientë janë ende në ventilim mekanik. Drejtori i Klinikës për Kirurgji Plastike, Milan Stojçiq në deklaratë për RTS tha se te disa pacientë janë bërë transplantime të lëkurës ndërsa ndërhyrje kirurgjike do të kryhen edhe të 6 pacientë të tjerë të…

Lajme

23/03/2025 18:22

Gjendja shëndetësore e të lënduarve që trajtohen në Beograd është e qëndrueshme, por 2 pacientë janë ende në ventilim mekanik.

Drejtori i Klinikës për Kirurgji Plastike, Milan Stojçiq në deklaratë për RTS tha se te disa pacientë janë bërë transplantime të lëkurës ndërsa ndërhyrje kirurgjike do të kryhen edhe të 6 pacientë të tjerë të shtuar në Qendrën e Urgjencës.

“Kam edhe lajme të mira, disa pacientë ndoshta do të mund të transferohen në repart, sepse funksioni i tyre i frymëmarrjes po përmirësohet dhe djegiet janë të tilla që nuk kërkojnë qëndrim në njësinë e kujdesit intensiv. Bëhet fjalë për të rinj, pacienti më i ri është 17 vjeç, vetëm një pacient është 35 vjeç, ndërsa të tjerët janë rreth 20 vjeç”, tha Millan Stojçiq, drejtor i Klinikës për Kirurgji Plastike.

Për shkak të dëmtimeve te organet e frymëmarrjes nga thithja e tymit, pacientët janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga anesteziologët dhe specialistët të tjerë. Stojçiq thekson se të gjithë pacientët që janë në ventilim mekanik janë në rrezik për jetën, por edhe pacientët e tjerë mund të jenë të rrezikuar në varësi të ecurisë së trajtimit.

“Komplikime mund të shfaqen në të gjitha organet e mundshme, por për këtë arsye kemi ekip të specializuar, përfshirë kirurgë abdominalë, nefrologë dhe psikiatër që i vizitojnë pacientët çdo ditë”, u shpreh Millan Stojçiq, Drejtor i Klinikës për Kirurgji Plastike.

Në Serbi janë dërguar 30 të lënduar nga tragjedia në Koçani. Në Nish është një pacient, në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd janë 12, ndërsa në Qendrën e Urgjencës të Qendrës Klinike të Serbisë janë 17 pacientë.