Tragjedia në KEK nxitë zërat kundër energjisë nga thëngjilli

Shpërthimi sot në KEK, la 2 të vdekur dhe 14 të plagosur. Kjo ngjarje e rëndë për vendin, duket se u ka hapur rrugë, individëve dhe organizatave të caktuara, që kërkojnë të mos investohet në energjinë nga thëngjilli. 

Lajme

06/06/2014 22:49

Haki Abazi, përfaqësues i Rockefeller Brothers për Kosovë, është më i zëshmi në këtë drejtim. 

Në emisionin “DebatePernime” të Jeta Xharrës i cili transmetohet në RTV21, e që sonte për temë kishte incidentin në KEK, Abazi si panelist, ka kërkuar me ngulm heqjen dorë nga termoelektranat dhe orientimin nga energjia e gjelbër. 

“Pavarësisht se ne kemi qymyr, nuk duhet të shikojmë vetëm poshtë tokës, por t’i kthejmë sytë lartë dhe të shohim se farë ajri thithim dhe çfarë ujëra të kontaminuar kemi si shkak i këtij qymyri”, ka thënë Abazi në këtë debat. 

Por ai është kundërshtuar me ngulm nga Gazmend Begolli, ish-drejtor i dy elektranave Kosova A dhe Kosova B për periudhën 2002-2004. 

“Kosova A nuk duhet të mbyllet. Unë e kam ditë se sot pas këtij incidenti tragjik do të kërkohet të mbyllet Kosova A. Por jo, ajo nuk duhet të mbyllet, por blloqet e saj të riparohen një nga një. Termoelektranat janë të rrezikshme, dhe raste të tilla ndodhin në gjithë botën”, ka thënë eksperti Begolli.

Në këtë kohë fushate zgjedhore, kur shumica e partive politike, në programet e tyre, zhvillimin e ekonomisë të vendit e shohin përmes investimit në ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike përmes thëngjillit, ka edhe të atillë që kërkojnë që kjo të mos ndodhë.